Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe YIHR reagojnë për padinë e Komunës së Gjakovës ndaj Dragica Gashiqit

Prishtinë | 08 Kor 2021 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, me anë të së cilës kërkohet “anulimi i kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme”, për Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, u bë serbja e parë që u kthye për të jetuar në këtë komunë.

Në lidhje me këtë kanë reaguar Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë.

Përmes një komunikate për medie, ata janë shprehur se “Ne konsiderojmë që një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe nuk është në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Reagimi i plotë:

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut Kosovë, shprehin shqetësim për situatën e krijuar me rastin e kthimit të znj. Dragica Gašić në qytetin e Gjakovës dhe në veçanti për veprimet ligjore të ndërmarra nga ana e Komunës së Gjakovës kundrejt saj.

Më 06 korrik 2021, Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku si objekt i kësaj padie ishte “kërkesa për anulimin e kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme.” Në të njejtën kohë, Komuna e Gjakovës ka kërkuar që të paditurës t’i caktohet një përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që të njëjtës nuk i dihet vendbanimi.

Ne konsiderojmë që një veprim i tillë është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe nuk është në frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht bie ndesh me nenin 156 të saj, me titull “Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur brenda vendit”, ku thuhet se Republika e Kosovës promovon dhe lehtëson kthimin e sigurt dhe me dinjitet të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit dhe u ndihmon atyre për kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre.

Znj. Gašić posedon dokumentet e nevojshme, me të cilat ajo vërteton të drejtën e saj për shfrytëzim të pronës, e drejtë kjo e cila i është dhënë me vendimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verfikim të Pronës. Kjo Agjenci duke pasur për bazë kërkesën e znj. Gašić, më 9 qershor 2021 e kishte liruar banesën e saj duke e larguar familjen e cila kishte qenë aty, për ta mundësuar kthimin e znj. Gašić në atë banesë.

Duke pasur parasysh se veprimet e znj. Gašić kanë qenë konform procedurave për kthim, duke mos cënuar apo rrezikuar asnjë person tjetër, konsiderojmë se situata e krijuar si rezultat i ardhjes së saj dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore, janë në kundërshtim me frymën demokratike dhe multietnike të shtetit të Republikës së Kosovës dhe nuk kontribuon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.

Prandaj i bëjmë thirrje autoriteteve lokale të Gjakovës që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e tërhequr padinë ndaj znj. Gašić, dhe duke ia lehtësuar kthimin dhe qëndrimin e saj në Gjakovë.

Të ngjashme