Formohet Trupa koordinuese e inspektimeve për zbatimin e masave për parandalimin e pandemisë

Prishtinë | 07 Kor 2020 | 13:26 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, pati takim me udhëheqësit e mekanizmave inspektues për të koordinuar dhe për t’i marrë masat për ta luftuar përhapjen e pandemisë.

Në takimi ishin: Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës; Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Adonis Tahiri, koordinator i inspektorateve
komunale; Ekrem Kastrati, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës; Blerim Syla, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut;  si dhe Burim Rreci, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Ministri, Krasniqi theksoi se qëllimi i këtij takimi, i cili ka rezultuar si rrjedhojë e takimit të mëhershëm me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe inspektorateve komunale për të koordinuar inspektimet në terren.

“Rritja e numrit të inspektimeve kërkon edhe rritje të numrit të inspektorëve dhe se ne si qeveri do t’i ndërmarrim të gjithë hapat për të mundësuar rritjen e inspektorëve për të zbatuar masat e Qeverisë së Kosovës dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës në parandalimin e përhapjes së Pandemisë Covid-19”, theksoi ministri Krasniqi.

Ai më tej ka kërkuar nga të pranishmit që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet për të koordinuar dhe mobilizuar tërë kapacitetet inspektuese në mënyrë që të mbrojmë shëndetin publik në rend të parë dhe njëkohësisht t’i informojmë edhe bizneset për masat e reja të Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, ministri Krasniqi u premtoi se do të shikohen mundësitë e pagesave shtesë në kuadër të kodit të veçantë, që e ka ndarë Qeveria e Kosovës për luftimin e pandemisë.

Në fund të takimit u dakorduan të gjithë përfaqësuesit e këtyre mekanizmave inspektues që të formojnë Trupën Koordinuese të Inspektimeve për zbatimin e masave për parandalimin e pandemisë, të kryesuar nga Lulzim Syla, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Po ashtu, ministri Krasniqi kërkoi nga kjo trupë që të kenë takime të përditshme koordinuese për inspektime në të gjitha rajonet e Kosovës, në mënyrë që të parandalohet përhapja e pandemisë.

Të ngjashme