Fshati me shumë bukuri natyrore, e ku kalojnë tre lumenj

Prishtinë | 18 Maj 2020 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Këtë herë u arratisëm nga zhurma e qytetit për të shkuar në një fshat shumë të bukur e të qetë, siç është Pogragja, i cili gjendet juglindje të Gjilanit.

Ngjyrat e bukura të pranverës, cicërimat e zogjve, uji i pastër e qetësia që të ofron ky vend është një mrekulli në vete.

Në këtë fshat kalojnë tre lumenj, për të cilët na rrëfen Musa Ferizi.

Këtu banorët janë shumë mikpritës. Këta banorë kryesisht merren me bujqësi e blegtori, raporton emisioni #gjesi në T7.

Rexhep Aliu është njëri ndër banorët, i cili ka rreth 30 krerë lopë dhe viça. Brenda ditës ai fiton nga to rreth 100 litra qumësht.

Ndërsa, Driton Fetahu, i cili në këtë kohë pandemie po qëndronte më shumë në shtëpi, thotë se ka rreth 150 pula e zogj.

Por, Dritoni afër shtëpisë së tij ka edhe disa pëllumba të llojeve të ndryshme.

E vetëm pak kilometra më larg, dëgjohet zhurma e bletëve. Haki Ferizi, mësimdhënës i pensionuar, thotë se i ka rreth 40 koshere me bletë.

Pogragja veçohet edhe për bukurinë që e karakterizon. E gjithë kjo falë banorëve të fshatit të cilët e mirëmbajnë atë vazhdimisht.

Duke qenë se ajri është shumë i pastër, banorët dalin për të shëtitur rreth e çark. Madje Mihrije Nuredini tregon se si gratë në këtë vend janë mjaft të zonja.

Pavarësisht bukurive të shumta, ky fshat dita-ditës po shkon drejt zbrazjes.

“Nuk patëm se si të largohemi nga fshati Pogragjë pa e vizituar edhe Kalanë e Pogragjës, e cila cilësohet se ka tri mure, muri i parë, i dytë dhe i tretë rrethues”, thotë Syzana Hajradini, gazetare e emisionit.

Kjo kala është e pozicionuar në grykën e Llapushnicës, në lartësi mbidetare prej 567 metra, ndërsa poshtë kodrës rrjedh lumi i Moravës së Binçës.

Thuhet se kjo kala ka një sipërfaqe prej 1.2 hektarësh.

Këto mure janë të punuara me gurë të latuar dhe të palatuar të lidhur në mes vete me gëlqere. Gjatë punimeve që janë bërë në vitin 2007 është zbuluar edhe kanali nëntokësor, i cili lidh pjesën e kalasë brenda mureve me lumin Morava.

Pra, bukuria që ta ofron kjo kala me fshatin e Pogragjës është e mahnitshme dhe ia vlen patjetër të vizitohet.

Të ngjashme