Fshehja “misterioze” e 27 sirianëve, afganëve e libianëve në garazhin e një ndërtese në Fushë-Kosovë

Prishtinë | 09 Nën 2019 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Mëngjesi i nëntë ditëve më parë nuk ka qenë i njëjtë për N. N. Rituali i shkuarjes në garazhin poshtë ndërtesës, ku jeton në Fushë-Kosovë, e ka zënë në befasi. Aty është ndeshur me një grup njerëzish, të cilët nga pamja e jashtme nuk i ngjanin me shtetas kosovarë, shkruan sot Koha Ditore.

Është afruar për t`i pyetur se kush ishin dhe përse gjendeshin në garazh.

“..from Siria, Siria”, ka qenë përgjigja që e ka marrë prej tyre.

“Ishte ora 7:30 e mëngjesit dhe unë po shkoja në punë. U frikësova kur pashë atë grup njerëzish, që vetëm po qëndronin në garazh. Ata ishin burra, gra e fëmijë. Me të kuptuar se ishin shtetas të huaj, e kam thirrur policinë. Kanë ardhur dhe i kanë marrë. Më shumë nuk di asgjë, as rreth tyre e as se çfarë ka ndodhur më tutje me ta”, ka thënë N.N., banore e ndërtesës në fjalë, në një prononcim në kushte anonimiteti për “Kohën Ditore”.

Për të kuptuar më shumë rreth kësaj ngjarjeje, gazeta ka kontaktuar Policinë e Kosovës.

Zyra për Informim e këtij institucioni e ka konfirmuar rastin, por nuk ka sqaruar rrethanat e ardhjes dhe strehimit të këtij grupi të shtetasve të huaj në garazh të ndërtesës.

“Referuar rastit konkret të datës 31.10.2019, patrulla e Stacionit Policor në Fushë-Kosovë ka njoftuar Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj, se tek rrethi në Fushë-Kosovë ka takuar 27 persona shtetas të huaj (dyshohet nga Siria, Afganistani, Libia), të cilët kanë kërkuar azil. Personat në fjalë janë trajtuar sipas Ligjit për Azil dhe janë vendosur në Qendrën e Azilit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme