FSK-ja po ngrit kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit

Prishtinë | 30 Maj 2021 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, thotë se stërvitja “Defender Europe 2021”, ka rëndësi të shumëfishtë për FSK-në.

Kolonel Maqedonci, thotë po ashtu se FSK-ja gradualisht është duke ngritur kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Defender Europe 2021, është stërvitja ushtarake më e madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Për çfarë stërvitje bëhet fjalë konkretisht?

Ejup Maqedonci: Defender Europe 21, është një stërvitje që drejtohet nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë, që është e dizajnuar për të renditur ndërveprueshmerinë dhe gatishmërinë operacionale, në mes të SHBA-së, vendeve partnere dhe vendeve të aleancës së NATO-s.

Shtrirja e këtij ushtrimi është në tri zona kryesore: në rajonin Baltikut, në rajonin e Detit të Zi dhe në rajonin Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe vendi ynë. Për herë të parë në këtë stërvitje, Kosova është vend pritës i këtij ushtrimi, pra Kosova pret ushtrimin në territorin e saj dhe kryesisht ushtrimet në zonën e Ballkanit kanë të bëjnë me aspektin e mbrojtjes së territorit.

Në Kosovë ushtrimi “Defender 21”, është i fokusuar në zonën perëndimore të vendit tonë, pra në rajonin e Gjakovës, më saktësisht, komanda e lartë e ushtrimeve dhe drejtoria e ushtrimit, kanë qenë të vendosura në Aeroportin e Gjakovës, kurse ushtrimet fushore nga kompania e këmbësorisë e FSK-së, janë zhvilluar në rajonin Babaj të Bokës, në komunën e Gjakovës.

Radio Evropa e Lirë: Si ka ardhur deri te përfshirja e FSK-së në këto ushtrime?

Ejup Maqedonci: Oficerët e FSK-së kanë marrë pjesë qysh në konferencat e para planifikuese të ushtrimit “Defender 21”, që kanë filluar një vit e gjysmë më parë. Në të gjitha konferencat ne kemi marrë pjesë me oficerë, të cilët kanë paraqitur kapacitetet tona dhe kanë paraqitur poligonet tona, ku ne mund të ofrojmë mbështetje për ushtrimin e përgjithshëm “Defender21”.

Ne e kemi shfrytëzuar këtë ushtrim për dy aspekte kryesore: e para për validimin e kapaciteteve të këmbësorisë, pra, FSK-ja në këto ushtrime e bën validimin e kapaciteteve të para të saj të këmbësorisë në nivel kompanie. Dhe gjithashtu e kemi shfrytëzuar mundësinë që vendin tonë ta bëjmë për të parën herë vend pritës, të një ushtrimi të një niveli kaq të madh.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë rëndësie ka validimi që po u bëhet njësiteve të këmbësorisë prej ushtrisë amerikane?

Ejup Maqedonci: Validimi që po u bëhet kapaciteteve të këmbësorisë së FSK-së, ka rendësi të veçantë, kur kemi parasysh që dy vite më parë, Forca e Sigurisë së Kosovës, ka ndërruar detyrat në kuadër të misionit, pra i është shtuar detyra e mbrojtjes së territorit dhe përgatitja e njësiteve të këmbësorisë së FSK-së. Validimi i kapaciteteve të këmbësorisë së FSK-së, nënkupton që FSK-ja, gradualisht është duke ngritur kapacitetet për mbrojtjen e territorit, pra kapacitetet luftarake për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

Radio Evropa Lirë: A mund të thuhet se me ketë stërvitje, SHBA-ja do të tregojë që Kosova mbetet brenda zonës së ndikimit së saj?

Ejup Maqedonci: Po, patjetër! Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është trajtuar dhe trajtohet si një vend i afërt në aspektin strategjik, me interesat dhe me synimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të ruajtur vlerat perëndimore në këtë zonë. Pra, Kosova është ftuar në të gjitha ushtrimet që janë zhvilluar deri më tani për një kohë të gjatë, në shtete të ndryshme të Evropës, ku ushtria e SHBA-së organizon dhe drejton ato ushtrime. Në këtë rast, është një rivlerësim i shtuar i SHBA-së, në drejtim të Kosovës, duke i mundësuar Kosovës që të jetë mikpritëse e një pjese të ushtrimit “Defender 21” në territorin e saj.

Radio Evropa e Lirë: Prej 27 vendeve pjesëmarrëse, Kosova është një prej 16 vendeve pritëse ku kanë zbarkuar trupat, madje për herë të parë, në Kosovë zbarkuan trupa amerikane jashtë misionit të KFOR-it. Çka do të thotë kjo për Kosovën?

Ejup Maqedonci: Trupat amerikane, zbarkimin e tyre që e kanë bërë, është mundësuar, normalisht nga marrëdhëniet bilaterale që i ka shteti ynë me Shtetet e Bashkuar të Amerikës, në këtë rast edhe ushtria jonë me ushtrinë e Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

Forca e Sigurisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe herëve të tjera në ushtrime të ndryshme, por kësaj radhe, specifike është që forcat amerikane po zhvillojnë një ushtrim në vendin tonë, që jep sinjal të qartë që Kosova, por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, janë të përkushtuara për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Të ngjashme