FSK do të bisedojë me politikanë serbë për Ushtrinë

Prishtinë | 02 Jan 2018 | 19:17 | Nga

Ministria e FSK-së në janar nis bisedimet intensive me politikanët serbë për të arritur marrëveshje konkrete për të ardhmen e Forcës. Në një intervistë për Kohavisionin, ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka konfirmuar takimin me deputetë dhe liderë të Listës Serbe. Ai ka theksuar se qëllimi është të arrihet pajtueshmëria që Forcat e Armatosura të Kosovës të bëhen përmes ndryshimeve kushtetuese.

Qeveria e Kosovës bën një hap tutje për të bindur politikanët serbë të Kosovës rreth votimit të ndryshimeve kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në ushtri.

Në janarin e këtij viti, është paraparë një takim mes ministrit të Forcës së Sigurisë dhe deputetëve të Listës Serbe.

Ministri Berisha, në një intervistë për Kohavisionin, është shprehur optimist se në këtë takim do të arrihet identifikimi i problemeve që pengojnë këtë komunitet t’i votojë ndryshimet kushtetuese për të ardhmen e Forcës.

Sidoqoftë, ai është i mendimit se e ardhmja e Forcës duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese, për shkak se integrimi i saj në strukturat ushtarake rajonale e ndërkombëtare është më i lehtë.

Berisha ka thënë se për këtë shkak kanë marrë edhe mbështetjen e Ambasadës Amerikane por edhe të ambasadave të tjera që konsiderohen partnerë strategjikë të Forcës.

Ministri po ashtu ka bërë të ditur se gjasat janë që Kosova të mund të marrë edhe lajme të mira gjatë vitit për inkuadrimin e saj në këto struktura. Paraprakisht, FSK-ja po mundohet që përmes ushtrive të shteteve mike të dërgojë pjesëtarë në misione ushtarake jashtë vendit.

Berisha ka folur edhe për buxhetin e Forcës dhe mundësinë që ai të rritet në momentin e parë të ndërrimit të statusit të saj, për çka e ka edhe mbështetjen e qeverisë.

Ndërsa ka shtuar se është në plan blerja e dy helikopterëve, por që për to do të vendosë qeveria se kujt do t’ia japë në shfrytëzim, FSK-së apo Policisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme