Fundjava me mot dimëror, këto do të jenë temperaturat

Prishtinë | 23 Shk 2022 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Prishtina Weather ka njoftuar se gjatë vikendit në Kosovë moti do të jetë dimëror.

Sipas njoftimit përgjatë dy ditëve do të ketë reshje shiu dhe bore.

Mot i ftohët e me mundësi për reshje bore do të mbretëroj edhe të hënën.

Njoftimi i plotë:

Ditëve vijuese kthjellime dhe ngrica në mëngjes. Të premten më butë gjatë ditës. Në fundjavë rikthehet moti dimëror me reshje bore dhe shiu.

23.02.2022 – Gjatë dy ditëve të ardhshme në vend do të mbajë mot më stabil, kryesisht me diell, e orëve të mëngjesit edhe me ngrica. Të premten gjatë ditës do të mbajë mot më i butë, me vransira kalimtare.

Ditën e shtunë vransirat vijnë duke u shtuar, e në mbrëmje fillojnë edhe të reshura lokale shiu, në vise kodrinoro-malore edhe të përziera me borë, që vazhdojnë edhe përgjatë ditës së diel, me rënie të temperaturave.

Të hënën mbetet mot i ftohtë, kryesisht i vranët e me erë, me mundësi për reshje bore, e gjatë ditës në pjesë të ulëta të vendit edhe të përziera me shi.

CIlësia e ajrit mbetet në vlera të pranueshme edhe ditën e enjte, ndërsa ditën e premte do të ketë më shumë periudha të qetësisë, që mbajnë ndotësit ajror më të përqëndruar, e indeksi kalon edhe në vlera të dobëta dhe shumë të dobëta. Erëra më të theksuara paraqiten sërish në fundjavë, që ndihmojnë në shpërndarjen e ndotësve ajrorë, e indeksi edhe të shënojë përmirësim në vlera të pranueshme dhe të mira.

24.02 – Kryesisht kthjellët dhe me diell. Në mëngjes ngrica.

25.02 – Pas mëngjesit me ngrica, ditën më butë e kryesisht me diell, kohëpaskohe edhe me vransira kalimtare.

26.02 – Kryesisht me vransira, vende-vende me riga lokale shiu. Në mbrëmje vonë priten të reshura të dobëta shiu, që përzien edhe me borë.

27.02 – Ftohtë, kryesisht vranët, me reshje shiu e bore, që në mbrëmje shndërrohen në borë.

28.02 – Ftohtë, kryesisht vranët, e kohëpaskohe priten edhe reshje të dobëta bore, apo të përziera edhe me shi gjatë ditës në pjesë më të ulëta.

Temperaturat me tendencë të rënies, minimalet luhaten ndërmjet -3C e 1C, e maksimalet të premten rriten deri në 11C, e deri të dielen zbresin në 2C dhe 1C ditën e hënë.

Dominojnë erërat mesatare dhe mesatarisht të fuqishme nga verilindja me shpejtësi prej 5-12m/s, e vetëm ditën e premte fryjnë lehtë nga jugperëndimi 1-4m/s.

Shtypja atmosferike luhatet në vlera mbi normale, megjithë tendencave të rënies në fundjavë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme