Fundjava në Kosovë parashihet me mot të ftohtë, reshje shiu e bore

Prishtinë | 13 Mar 2020 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Fundjava në Kosovë do të jetë me mot më të ftohtë, reshje shiu dhe bore.

Sipas “Prishtina Weather”, javën e ardhshme do të ketë mot me diell, në mëngjes ngrica e gjatë ditës temperaturat në rritje.

“Nga dita e hënë fusha anticiklonike nga Skandinavia shtrihen në lindje të rajonit, të cilat kushtëzojnë mot kryesisht të kthjellët dhe me diell. Mirëpo masat e ftohta ajrore që do të depërtojnë në rajon, orëve të mëngjesit do të krijohen kushte për ngrica, e gjatë ditës temperaturat gradualisht do të shënojnë rritje përreth vlerave mesatare. Për shkak të qarkullimit të mjaftueshëm ajror në fundjavë cilësia e ajrit do të shënojë përmirësim dhe do të luhatet në vlera të mira dhe mesatare”, thuhet në njoftim.

Moti për ditët e ardhshme:

14.03 – Më ftohtë, kryesisht me vranësira. Në mbrëmje priten reshje shiu, që gjatë natës mund të përzien edhe me borë. Në vise kodrinoro-malore borë.

15.03 – Kryesisht vranët dhe ftohtë. Kohë pas kohe me reshje të dobëta shiu. Në mbrëmje reshjet e shiut do të shndërrohen në borë.

16.03 – Në mëngjes ngrica, vranësirat do të shpërndahen. Ditën kryesisht me diell.

17.03-18.03 – Kthjellët dhe me diell. Në mëngjes ngrica, ditën më butë.

“Temperaturat minimale do të do të zbresin nga 5C deri në -1C, në fillim të javës së ardhshme. Maksimalet në fundjavë do të zbresin deri në 6C, nga e hëna me rritje graduale në 9C deri 13C”, thuhet tutje në njoftimin e PW.

Parashihet se do të fryjë erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga verilindja 4-11m/s.

“Shtypja atmosferike do të pësojë rënie, e nga dita e hënë do të shënojë rritje të theksuar mbi vlera normale”, përfundon njoftimi.

Të ngjashme