Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, lehtësim për kontestet ekonomike

Prishtinë | 06 Gus 2022 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Në seancën e 21 janarit në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar projektligji për themelimin e Gjykatës Komerciale.

Po në këtë vit, pas gjashtë muajsh, Gjykata Komerciale zyrtarisht ka filluar punën e saj.

Që nga e hëna e një gushtit, sistemit gjyqësor të Kosovës iu shtua edhe një gjykatë e cila do të trajtojë çështje të natyrës tregtare, ekonomike dhe fiskale, raporton portali Dukagjini.

Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e shkallës së parë dhe Dhomat e shkallës së dytë, kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, kontestet në mes të institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe kontestet në mes të personave juridikë vendorë dhe të huaj, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare.

Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli ka bërë të ditur që me funksionalizimin e kësaj gjykate, nga Gjykatat Themelore janë transferuar 6 mijë e 754 lëndë në dhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale dhe nga Gjykata e Apelit në dhomën e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale janë transferuar 1 mijë e 342 lëndë.

Për Tutuli ka thënë se stafi i Gjykatës Komerciale është në proces e sipër të ndarjes së lëndëve në departamentet përkatëse dhe se shqyrtimi i lëndëve, përkatësisht seancat e para pritet të mbahen në fillim të muajit shtator të këtij viti.

Ai ka thënë se deri më tani Gjykata Komerciale ka plotësuar rreth 50 për qind të pozitave të parapara me organogramin e saj.

Pas plotësimit të të gjitha pozitave të cilat parashihen me organogramin e Gjykatës Komerciale, Tutuli ka thënë se kjo gjykatë do të jetë plotësisht funksionale ashtu që edhe trajtimi i lëndëve do të bëhet në përputhje me afatet ligjore.

Sipas kryetarit Tutuli, Gjykata Komerciale është e rëndësisë se veçantë për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja, sepse bizneset do të kenë një adresë të vetme për të gjitha çështjet për të cilat kërkojnë mbrojtje gjyqësore.

“Në sistemin e deritanishëm shpesh bizneset për të realizuar të drejtën e tyre është dashur që t’u drejtohen dy apo tri gjykatave për vendosjen e çështjes së tyre, sepse gjykata të ndryshme kanë qenë kompetente për të vendosur për komponentë të ndryshëm në kuadër të së njëjtës çështje”, ka thënë Tutuli.

Ndërsa, tashmë ai ka thënë se në Gjykatën Komerciale të gjitha çështjet do të vendosen në të njëjtën procedurë dhe kjo e shkurton jashtëzakonisht shumë procedurën deri në marrjen e vendimit final dhe ekzekutimit të tij.

“Kjo krijon siguri juridike në qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve dhe mundëson zhvillimin ekonomik. Prandaj, konsideroj se themelimi i kësaj gjykate ka qenë i domosdoshëm për të siguruar ambient të sigurt për bizneset”, ka shtuar ai.

Po ashtu edhe Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit(AKB)  ka thënë se kjo aleancë e mirëpret funksionalizimin e Gjykatës Komerciale, që është kërkuar nga komuniteti i biznesit.

Ai ka thënë se kjo gjykatë do të mundësojë që problemet e natyrës ekonomike do të zgjidhen më shpejtë.

Ai ka thënë ndër të tjera se Gjykata Themelore ka stërgjatur kohën e zgjedhjes të problemeve mes operatorëve ekonomikë, në kohë prej 5-10 vjet, ndërsa tashmë Gjykata Komerciale nëse pajisjet me teknologji të avancuar dhe staf profesional, problemet do të zgjidhen për 1-deri në 3 vjet.

“Mendoj se Gjykata Komerciale do ti ndihmojë sistemit të drejtësisë, imazh më të mirë vendit, siguri më të madhe investitorëve, është një hallkë e sigurisë që i jep investitorëve në të ardhmen”, ka thënë Shahini.

Ndërsa, sa i përket perspektivës ekonomike, ekonomisti Astrit Ratkoceri për ka thënë se zgjidhja e rasteve të kontesteve ekonomike në mënyrë më efikase do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e vendit, duke krijuar kështu siguri edhe për investitorët e huaj por edhe për ata vendës për çdo kontest të mundshëm dhe mospërmbushje të kontratës.

Ai ka thënë se kjo gjykatë tani do të jetë adresa ku në mënyrë efikase do të mbyllen rastet e jo të ketë nevojë të pritet me vite të tëra, siç ka qenë deri më tani, ku është dashur të pritet 4-5 vjet e shpeshherë edhe më shumë për zgjidhjen e një rasti të tillë.

Ratkoceri është shprehur se edhe në rastet kur bizneset i kanë fituar rastet e tilla, pritja e gjatë ka ndikuar që vlera e fituar të mos jetë më e njëjtë, duke pasur parasysh vlerën në kohë të parasë e po ashtu fitimin e mundshëm të parealizuar.

Ndërsa, nënkryetari për Evropë i Rrjetit të Avokatëve Ndërkombëtarë(AEA), njëherësh avokat, Ekrem Hoxha ka thënë se Gjykata Komerciale si gjykatë e specializuar pritet të kontribuojë në rritjen e efikasitetit të gjyqësorit në fushën e veprimtarinë e saj duke i ekspeduar në mënyrë më efektive dhe brenda afateve ligjore çështjet komerciale dhe administrative.

Ai ka thënë se deri më tani ka qenë faza e riorganizimit dhe bartjes të lëndëve nga Departamentet e Gjykatës Themelore dhe plotësimin e strukturave të Gjykatës me stafin përcjellës.

Sipas Hoxhës, miratimi i ligjit dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale ka qenë hap në drejtimin e duhur në reformën e Gjyqësorit dhe kërkesë e kahmotshme e komunitetit të profesionistëve ligjorë.

“Pritet të kemi trajtime më cilësore, respektim të afateve ligjore, procedura më të shpejta që janë shumë të rëndësishme për komunitetin e bizneseve, si vendore, ashtu edhe të huajat, pasi që në ekonomi dhe biznes, koha dhe zgjidhja e kontesteve në kohë sa më optimale janë çështje me prioritet absolut”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa avokati, Agon Rrecaj, sa i përket stafit të Gjykatës Komerciale, ka thënë se me kapacitetet aktuale të planifikuara, shtatë gjyqtarë janë të caktuar në dhomën e shkallës së parë dhe tre të tjerë në pritje për t’u rekrutuar, ndërkaq pesë gjyqtarë janë caktuar në dhomën e shkallës së dytë.

Rrecaj ka thënë se këto kapacitete nuk janë të mjaftueshme, duke marrë parasysh kompetencën e kësaj gjykate dhe numrin e madh të lëndëve me të cilat do të përballet kjo gjykatë.

“Me këto kapacitete aktuale, mendoj se një lëndë për t’u zgjidhur në mënyrë meritore në shkallë të parë dhe të dytë, do të nevojitet një periudhë kohore prej 4 deri në 5 vjet, ose edhe më shumë”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tij, çështja e formimit të kësaj Gjykate nuk do të ndikojë në zgjidhjen më të shpejtë të kontesteve, sepse kjo varet direkt nga kapacitetet teknike dhe njerëzore, dhe siç thotë ai, në mungesë të tyre sigurisht që lëndët do të marrin kohë për t’u zgjidhur.

Ndërkaq, për funksionalizimin e kësaj gjykate, kishte reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

“Edhe përkundër zotimeve tona për funksionalizim të shpejtë të saj, në debate televizive gjithandej, thuhej se Gjykata Komerciale nuk mund të funksionalizohet para 5 vjetësh”, kishte reaguar Haxhiu.

Ndërsa ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka mirëpritur nisjen e punës së Gjykatës Komerciale.

Hovenier përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se inaugurimi i kësaj gjykate është një hap i madh përpara për rindërtimin e besimit të sektorit privat në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Ndërkaq, Gjykata Komerciale me fillimin e punës së saj do të publikojë të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Të ngjashme