Fushë-Kosova ndalon të droguarit, të dehurit dhe “këngëtarët” që ta shfrytëzojnë transportin publik

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 08:19 | Nga Ekonomia Online

Një varg kufizimesh janë përcaktuar me Rregulloren e re për transportin rrugor në territorin e Komunës së Fushë-Kosovës, të miratuar të mërkurën.

Në këtë dokument, për të cilin kishte dështuar diskutimi publik, përveç që rregullohet çështja e kushteve të ushtrimit të veprimtarisë së transportit, procedurat për licencim e pezullim të saj, detyrimet e operatorëve, rendin e udhëtimeve, çmimoren, etj., aty parashihen edhe një varg ndalesash për udhëtarët, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndër të tjera, edhe këndimi në transport publik. Për ata që i shkelin rregullat janë paraparë edhe gjobat që variojnë nga 50 deri në 1000 euro.

Në nenin 33 – Ndalesa të Rregullores për transportin rrugor në territorin e Fushë-Kosovës, ndalohet të pengohet personi zyrtar në kryerjen e detyrës, pastaj pirja e duhanit në automjet, futja e kafshëve në automjet, hyrja në automjet me armë, futja e sendeve, të cilat mund të lëndojnë, ndotin, shqetësojnë udhëtarët, futja në automjet e materialeve ndezëse dhe e mjeteve eksplozive, hyrja në automjet në gjendje të dehur dhe të droguar, pastaj ndalohet shqetësimi i udhëtarëve me këndim, britmë, me shprehje e sjellje të papranueshme. Secili person përgjegjës i operatorit transportues që vepron në kundërshtim me këto ndalesa dënohet me gjobë prej 50 deri në 100 euro.

Të ngjashme