Futbollisti i zhdukur Sala thoshte: Vamos Albania

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Sala shpeshherë iu drejtohej Canës dhe Lenjanit me thirrjen “Vamos Albania!”, që në shqip nënkupton “Shqipëria, shkojmë përpara”.

Futbollisti shqiptar, Ermir Lenjani, ka e rrëfyer për të kaluarën e përbashkët në Nantes me futbollistin e zhdukur, Emiliano Sala, të cilin e kishte shok të mirë.

Po bëhen gati tri javë prejse Emiliano Sala është zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Bota e futbollit vazhdon të jetë i shokuar dhe i solidarizuar me futbollistin argjentinas, rasti i të cilit ka shkaktuar pikëllim në gjithë planetin.

Natyrisht, përveç familjarëve, të trishtuar me fatin e keq të 28-vjeçarit kanë mbetur edhe shumë shokë të tij të cilët kanë pasur rast të luajnë bashkërisht futboll.

Njëri ndër ta është shqiptar. Fjala është për Ermir Lenjanin, i cili nga viti 2015 deri në vitin 2016, ka luajtur bashkë me argjentinasin e humbur në Nantes.

Pjesë e këtij ekipi francez ishte edhe ish kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, që po ashtu e ka njohur mirë sulmuesin, i cili humbi posa e realizoi ëndrrën, duke u transferuar në Premierligë.

Lenjani e Cana kanë shprehur pikëllim të madh për rastin e argjentinasit.

“Emiliano ka qenë luftëtar i madh. Ai ka qenë një person shumë i ëmbël në çdo bisedë me mua dhe shokët tjerë të ekipit. Në dy vitet e fundit pati sukses në Nantes dhe arriti të transferohet në Cardiff, duke e realizuar ëndrrën e tij për të luajtur në Premierligë”, shprehet Lenjani.

Sala shpeshherë iu drejtohej Canës dhe Lenjanit me thirrjen “Vamos Albania!”, që në shqip nënkupton “Shqipëria, shkojmë përpara”.

“Kur kemi shkuar unë dhe pastaj Lorik Cana në Nantes nuk kemi pasur nevojë t’i tregojmë se prej nga jemi dhe që luajmë për Kombëtaren e Shqipërisë. Në seancat stërvitore thoshte “Albaniaaa, Vamos”. Ishte punëtor i madh në stërvitje dhe në ndeshje. Ishte person shumë pozitiv. Dilnim me të, rrinim me të dhe me shokë tjerë të ekipit”, rrëfen Lenjani.

Krahas mërzisë, mesfushori kosovar i Kombëtares së Shqipërisë ende shpreson që Salla të gjendet i gjallë.

Salla në janar u transferua nga Nantes në Cardiff. Ai ishte kthyer në Francë vetëm për t’u përshëndetur me shokët e ekipit për të cilin kishte luajtur gati katër vjet. Dhe, kur po kthehej në Angli te skuadra e tij e re, avioni humbi, i cili u gjend në det, bashkë me një trup, i cili ende nuk dihet nëse i përket pilotit apo futbollistit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme