Galeria Kombëtare sqaron kushtet e lopëve në ahurin e improvizuar për ekspozitën e artistit Xhafa

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 12:09 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka thënë se ekspozita e titulluar ‘’Dheu i thurrur’’ është realizuar sipas planeve dhe, sipas saj, qëndrimi i tetë lopëve në ahurin e ndërtuar afër Galerisë është bërë sipas rekomandimeve të ekspertëve të veterinës.

“Bazuar në faktin se Galeria Kombëtare e Kosovës është institucion bartës i Ministrisë së Kulturës, i cili promovon kulturën, artin, gjithmonë kemi inkurajuar promovimin e shtetit tonë. Njëra nga ekspozitat më të mëdha në këtë institucion është ekspozita e artistit Sislej Xhafa, e cila në vete ngërthen 15 vepra të realizuara më herët si dhe projektin e ri”.

“Për mua personalisht është shumë e dhimbshme që duhet të diskutoj çështje që duhet të jenë e bazuara në kredibilitet e institucionit tonë. Po ashtu është e dhimbshme që një artist i përmasave botërore dhe një inat vihen në pyetje për çështje teknike përderisa një ekspozitë origjinale gjeniale, që në formë unike i referohet çështjeve të ekzistencës, mbijetesës, identitetit të Kosovës dhe historisë së saj”.

“Ritheksoj se lopët i kemi sjellë këtu si pjesë e veprës konceptuale artistike, me insistimin e vetë artistit që lopët të kenë hapësirë të vetëmjaftueshme ku ta kalojnë kohën”.

“Sipas rekomandimit të Ministrisë së Bujqësisë, për shkak të spekulimeve, këto janë kushtet që duhet përmbushur dhe konform të cilave ne e kemi ndërtuar objektin. Kafshëve u sigurohet ujë i pastër për pirje dhe baza ushqyese sipas kërkesave, sipas prodhimtarisë. Ushqim voluminoz, i koncentruar. Hapësira ka shtrojë të thatë që u mundëson qëndrim komod pa lagështi. Ne kemi shtruar mbi beton kashtë. Hapësira është e mjaftueshme për qëndrim, sipas standardeve zooteknike kërkohet që për gjedhe të ketë të paktën 4 metra katrorë në hapësirë të mbyllur, ndërsa 8 metra katrorë në hapësirë të hapur”.

“Objekti ynë i ka 120 metra katrorë. Hapësira është e ndriçuar mirë, në mungesë të ndriçimit natyral, natën ka ndriçim artificial”.

Arben Avdiu, pronari i lopëve, ka thënë se ato janë lopë ferme dhe janë të mësuara në ambiente të tilla siç janë duke qëndruar tash e disa ditë në ahurin pranë galerisë, si pjesë e ekspozitës ‘’Dheu i thurrur’’.

“Këto janë lopë të fermës, nuk janë të natyrës. Me kanë të natyrës nuk kishin ba me nejt në natyrë, sepse janë të fermës. Ato s’kishe mujt me i lanë mrena hiç se nuk rrin. Edhe kushtet i kanë shumë të mira, tepër të mira. Me ujë, kujdesen nga 24 orë”.

Të ngjashme