Gallup: Kosova, me indeks të mirë të Pranueshmërisë së Migrantëve

Prishtinë | 05 Sht 2017 | 11:50 | Nga

Sipas Indeksit të Pranueshmërisë së Migrantëve të organizatës amerikane për hulumtime Gallup, shtetet e Evropës lindore janë shtetet me pranueshmërinë më të ulët të migrantëve në botë.

Dhjetë shtetet me indeksin më të ulët i takojnë ish-bllokut Sovjetik, me përjashtim të Izraelit.

Sipas këtyre të dhënave, del se Maqedonia është shteti me indeksin më të ulët në botë për pranueshmërinë e migrantëve (1.47 nga 9.00), ndërsa Serbia është njëra nga katër shtetet me indeksin më të ulët në botë (1.80).

“Kosova gjendet përafërsisht në mesin e listës me indeks 4.17, ndërsa Shqipëria gjendet në mes shteteve më të hapura ndaj migrantëve me indeks 7.22 (SHBA-të gjenden vetëm dy vende mbi Shqipërinë me indeks 7.27). Shtetet më të hapura në botë ndaj migrantëve janë Islanda (8.26) dhe Zelanda e Re (8.25)”, thuhet në të dhënat e publikuara nga Gallup.

Shtetet të cilat janë ballafaquar më së shumti me krizën e viteve të fundit të migrantëve janë deklaruar më së paku të hapura ndaj migrantëve. Të rinjtë, njerëzit e shkolluar dhe ata me të ardhurat më të larta janë deklaruar më pranues ndaj migrantëve në krahasim me grupet tjera të të anketuarve.

Po ashtu është vërejtur se socializimi dhe gjendja emocionale luajnë rol në pranueshmërinë e migrantëve: Sa më të shoqërueshëm dhe të lumtur njerëzit, aq më të hapur janë deklaruar ata ndaj migrantëve, dhe e kundërta.

Gjeneratat e para të migrantëve janë deklaruar si më të hapur ndaj migrantëve tjerë se sa migrantët të cilët kanë lindur në një shtet të huaj.

Indeksi i Pranueshmërise së Migrantëve bazohet në tri pyetje mbi migrantët, të cilat janë pjesë e sondazhit vjetor World Poll. Gallup e zhvillon këtë sondazh në mbi 160 shtete që nga viti 2005, dhe përfaqëson opinionin e më shumë se 98% e të rriturve në botë.

Në Kosovë, Gallup e zhvillon sondazhin World Poll nga viti 2014 nëpërmjet organizatës për hulumtime sociale DOTS.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme