Galushi: Kosova qëndron mirë në respektimin e komuniteteve përtej sfidave që kemi

Prishtinë | 14 Kor 2021 | 21:58 | Nga Ekonomia Online

Deputeti nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës, Erxhan Galushi, vlerëson se ligjet për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë duke u respektuar shumë pak.

“Legjislacioni që është në fuqi për të drejtat e njeriut, për të drejtat e komuniteteve rom, ashkali, egjiptian, ligjet, nenet që janë të fuqi duhet të respektohen. Deri tani është bërë pak për respektimin e këtyre ligjeve, është përmendur kuota e punësimit për 10 për qind për të gjithë banorët e komuniteteve pakicë që jetojnë me një komunë. Mirëpo, kjo është respektuar shumë pak, do të mundohem të bëjë përpjekje për respektimin e kësaj kuote qoftë në aspektin gjinor” tha Galushi.

Galushi në Rubikon shtoi se Qeveria Kurti II është duke dhënë sinjale të mira se është e interesuar në respektimin e këtyre ligjeve.

“Mendoj se ka për të pasur një vullnet të mirë politik për nga bisedimet që i kam pasur me kryeministrin Albin Kurti. Mendoj se tash është shumë herët për të folur për një progres që shpresoj se do të ndodhë. Por, jemi në hapa të vazhdueshëm për t’i integruar komunitetet në institucionet e Republikës së Kosovës dhe shpresoj se do të ketë një vullnet të mirë politik”.

“Unë nuk mendoj se krijimi i mekanizmave apo nismat e legjislacionit të ri do të ndihmojnë aq shumë, më shumë ndikon vullneti i mirë politik” tha Galushi.

Galushi përtej sfidave që përballen si komunitet tregon se Kosova qëndron më mirë në respektimin e të drejtave të këtyre komuniteteve krahasuar me vendet e rajonit.

“Kosova qëndron shumë më mirë në përqindje për nga respektimi i komuniteteve krahasuar me vendet tjera fqinje, këtë e flasim me fakte, nëse e marrim Serbinë, Maqedoninë e Veriut etj”.

“Ne e dimë se si trajtohen ato komunitete dhe me çfarë racizmi përballen. Besoj se jemi në një periudhë që komuniteteve tu japim më shumë hapësirë dhe të angazhohemi në integrimin e tyre në institucionet shtetërore”, u shpreh Galushi./Klan Kosova

Të ngjashme