Gashi thotë se MPB-ja është e përkushtuar ta luftojë korrupsionin

Prishtinë | 16 Kor 2018 | 16:18 | Nga

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka pritur në takim  Zëvendës-Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

 Në këtë takim u bisedua lidhur me çështjen e sigurisë dhe proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.

Gjatë takimit, ministri Gashi e njoftoi Marocco lidhur me punën e institucioneve të sigurisë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në vend.

“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë do të vazhdojnë të luftojnë aktivitetet e jashtëligjshme në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin në Republikën e Kosovës”, tha ministri Gashi.

Më pas, ministri Gashi i pohoi Marocco se Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu është e përkushtuar në luftimin e të gjitha llojeve të krimit të organizuar, duke përfshirë këtu edhe krimin trans-kufitar.

Në këtë drejtim, Ministri Gashi vlerësoi se anëtarësimi në INTERPOL tashmë është një domosdoshmëri për ofrimin e sigurisë jo vetëm në Republikën e Kosovës por edhe në rajon e më gjerë.

Në anën tjetër, Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, vlerësoi të arriturat në Kosovë dhe pohoi se  është e nevojshme për një përkushtim më  të madh në ruajtjen dhe ngritjen e  nivelit të sigurisë në Kosovë.

Me këtë rast, ai u zotua se përkrahja e ShBA-ve në forcimin e mëtejmë të institucioneve të sigurisë në Kosovë do të vazhdojë edhe më tutje.

Gjatë ditës, Ministri Gashi u takua edhe me  lordin  Tariq Ahmad, si dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell. Folën për luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm dhe përpjekjet e Kosovës në menaxhimin e këtij fenomeni, sidomos me programet për de-radikalizmin  e personave të kthyer nga zonat e luftës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme