Gashi: Nuk do të lejojmë që të rinjtë të largohen nga Kosova

Prishtinë | 24 Sht 2018 | 11:27 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri, Kujtim Gashi, thotë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është në përkrahje dhe fuqizim të rinisë në Kosovë, duke u vënë bashkërisht në shërbim të komunitetit rinor.

“Sot jemi këtu bashkërisht për të konfirmuar përkushtimin e Ministrisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për përkrahjen dhe fuqizimin e rinisë në Kosovë, duke u vënë bashkërisht në shërbim të komunitetit rinor dhe në funksion të implementimit të Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen e Rinisë si dhe Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit për Rini si dhe Planit të  Veprimit për Rritjen e Punësimit të të Rinjve dhe përmirësimin e punësueshmërisë për të rinjtë, përmes implementimit të aktiviteteve nga organizatat jo-qeveritare”.

Gashi ka thënë se ngritja e kapaciteteve të rinjve është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë.

“Siç e dini shumica prej jush, Kosova ka një proporcion të madh të të rinjve dhe të rejave, që kanë potencial për zhvillim. Prandaj, investimi në Rini në ngritjen e kapaciteteve të tyre paraqesin disa nga prioritetet kryesore të MKRS gjegjësisht te Departamentit te Rinisë në mënyrë që ky investim në Rininë tonë, të jetë një investim i mirëfilltë që do të ndikojë në mënyrë direkte apo indirekte në punësimin e tyre”

“Jam i lumtur që në këtë tremujor ne kemi arritur të mbështesim shtatë Organizata Joqeveritare dhe kompani në shtatë regjione të Kosovës, duke bazuar sipas standardeve dhe kritereve të Rregullores për subvencionim të OJQ-ve”.

“Duke pasë parasysh idetë brilante te të rinjve në Kosovë, duke përfshirë kulturën, rininë, sportin, janë pikërisht këta të rinj që na bëjnë krenarë”.

“Do ta kemi një fond rinor për herë të parë në Kosovë. Nuk do lejojmë që të rinjtë tanë veç të largohen nga Kosova. E di që është problem i madh por bashkë mund t’ia dalim”.

“Konfirmoj para jush se si ministër por edhe departamenti dhe gjithë kabineti do jenë në shërbim të tyre. Viti 2019 do jetë vit i ndryshimit të madh për rininë e Kosovës”.

Këto komente ministri Gashi i ka bërë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për të rinj për “shkathtësitë e buta”.

Xhevat Bajrami, drejtor i Rinisë në departamentin e MKRS, ka thënë se ashtu si Qeveria edhe MKRS ofron programe të ndryshme për të rritur punësimin e të rinjve.

“Ne kemi ofruar programe e trajnime për t’i dhënë një shans për tregun e punës. Dua të ritheksoj se për ne si departament mbetet prioritet të kemi një rini të shëndoshë”.

Besnik Krasniqi, përfaqësues i organizatës implementuese e projektit, ka thënë se edhe sektori privat kërkon këto shkathtësi.

“Ne që kemi qenë direkt në këtë pumë është kënaqësi të punojmë me të rinjtë që kanë një entuziazëm të madh për të zhvilluar karrierën e tyre”.

Rreth 250 të rinj sot, në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u pajisën me certifikata për trajnimet në kuadër të shkathtësive të buta duke zhvilluar shkathtësitë e tyre përmes edukimit joformal.

Të rinjtë nga shtatë regjionet e Kosovës, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovës, për tre muaj janë trajnuar për zhvillimin e shkathtësive për të aplikuar për punë, si shkrimi i CV-së, letrës motivuese, hulumtimi i konkurseve të punës, për të komunikuar, prezantimi në intervista pune, komunikim i shkruar, komunikimi verbal, shkathtësitë e Mendimit Kritik, Shkathtësitë e Zgjidhjes së Problemit dhe Kreativitetit.

Të ngjashme