Gashi: Shqetësuese pjesëmarrja e të rinjve në luftëra të huaja, na duhen mekanizma parandalues

Prishtinë | 12 Gus 2018 | 15:51 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e Ditës së Rinisë është mbajtur sot paneli i diskutimit “Roli i rinisë në ndërtimin e paqes dhe sigurisë”, në të cilin ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se është shqetësuese pjesëmarrja e të rinjve kosovarë në luftëra apo konflikteve të huaja.

Gashi shtoi se duhet të vendosen mekanizma për të parandaluar këtë fenomen, raporton Ekonomia Online.

“Ka të rinj tanë që janë pjesë e luftërave e konflikteve. Të rinjtë tanë shpesh herë kanë rënë pre e thirrjeve të ndryshme, ne jemi të shqetësuar. Edhe këtu duhet të vendosen mekanizma parandalues dhe në këtë kontekst kemi bërë thirrje për projektet që kanë qëllim vetëdijësimin e të rinjve për të mos qenë pre e thirrjeve për pjesëmarrje në luftëra”.

Gashti deklaroi se të rinjtë në Kosovë ballafaqohen me shumë probleme, duke filluar nga punësimi e deri te lëvizja e lirë në Evropë dhe shtetet përreth që nuk e kanë njohur Kosovën, raporton EO.

“MKRS-ja ka vendosur të ndryshojë kornizën ligjore dhe programin për vitin 2019 që të përfshijë strategjinë për projektet rinore. Jemi të interesuar që programet tona t’ua përshtasim kërkesave dhe nevojave të të rinjve. Ne do të jemi bashkë si komunitet rinor, institucionet që këtë ndryshim ta bëjmë të mundshëm dhe lehtë të realizueshëm”.

Gashi shtoi se ka rezultate në fushën e rinisë, por tha se kapitalin e të rinjve duhet ta bëjnë pjesë të mekanizmave të ministrisë.

Arianit Jashari, përfaqësues i të rinjve të Kosovës në Bordin Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor në Tiranë (RYCO), tha se është qesharake kur flasin për integrim në BE, ndërsa kosovarët ballafaqohen me mungesë të lëvizjes së lirë.

Ai ka kërkuar që politika ta trajtojë rininë si faktor të rëndësishëm, duke u dhënë atyre më shumë hapësirë.

“Ne duhet fillimisht të ndryshojmë dhe të fuqizohemi, e pastaj të dalim në nivel rajonal. Ky ligj do të definojë qartë mekanizmat dhe institucionet, shpresoj që me të rinia do të trajtohet si faktor mjaft i rëndësishëm në politikë. T’i jepet më shumë hapësirë rinisë, që strategjia që hartohet të jetë zëri i tyre”.

Presidentja e Kongresit Rinor Kombëtar të Shqipërisë, Lorela Marku, tha se të rinjtë në Shqipëri kanë problemet e njëjta si ata në Kosovë, duke filluar nga papunësia e mospërfshirja, raporton EO.

Ajo ka kërkuar më shumë bashkëpunim mes politikës së Shqipërisë dhe Kosovës  për ta fuqizuar rolin e rinisë.

“Është e rëndësishme që këto politika të jenë të përbashkëta. Procesi i Berlinit ka pasur një fryt të suksesshëm. Vitet e fundit ka pasur një frymë bashkëpunimi për projekte, por në distancë. Është shumë e nevojshme që politikanët e dy vendeve të bashkëpunojnë. Ky është momenti më i mirë që në Shqipëri po hartohet për herë të parë ligji për rininë, ne duhet të insistojmë që të futet në buxhet”.

Marku u shpreh se rinia e Kosovës është në fazë delikate, sepse po përpiqet të integrohet në BE, por po pengohet nga mungesa e liberalizmit të vizave.

Besmir Kokollari, drejtor i institutit “iCHAT”,  ka kërkuar nga ministri Gashi ta fuqizojë rolin e rinisë dhe ta zgjerojë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje.

Ai vlerësoi se Kosova ka shumë nevojë për Ligjin për Punë Vullnetare i cili, sipas tij, do t’u mundësonte të rinjve kosovarë marrjen e përvojave në vende jashtë Kosovës dhe sjelljen e tyre në vendin tonë.

“Është i nevojshëm ligji për punë vullnetare, sepse institucionet po bëjnë pak në shkëmbime rinore. Me këtë ligj do të krijonin mundësi që të rinjtë përmes ambasadave t’i dërgojmë për të marrë përvoja dhe t’i sjellin ato në Kosovë, por kjo nuk po ndodh”.

Ministri Gashi bëri të ditur se Ligji për Punë Vullnetare është duke u trajtuar nga Zyra e Kryeministrit. Ai shtoi se kanë dilema nëse ky ligj do t’i përfshijë vetëm të rinjtë apo të gjitha moshat.

Ky panel i diskutimit u organizua nga organizata joqeveritare “Access”, Kongresi Rinor Kombëtar i Shqipërisë (NYC), iCHAT, dhe Molla e Kuqe, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Të ngjashme