Gastronomia pret ndihmën e shtetit për t’i mbijetuar krizës

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 18:59 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka thënë se sektori i gastronomisë ka nevojë për shtrirjen e dorës nga shteti për t’i mbijetuar krizës për shkak të mbylljes për dy muaj si pasojë e koronavirusit.

Në Express të KTV-së, ai ka thënë se ky sektor është ndër të parët që është prekur e do të jetë ndër të fundit që hapet, madje edhe hapjen s’do ta ketë të plotë për shkak të masave të caktuara.

Ai ka thënë se kanë përcjellë disa vende si shembuj se si të funksionojnë pas lehtësimit të masave, e që për gastronominë është paraparë rreth 2 qershorit.

“Ndër modelet që i kemi pa ndër më të mirët ishte ai austriak. Duhet t’i përmbahemi disa rregullave. A-ja e kësaj pune ishte që lokalet të dezinfektohen rrënjësisht, e dyta që të mos shërbehet prej shanku, do të thotë klientët s’mund të afrohen e stafi duhet ta dorëzojë në tavolinë. Thika e piruni shkon me ushqim. Distanca të jetë e konsiderueshme. Maskat, dorëzat te i gjithë stafi. Duhet të ketë vetëdije të plotë. Të mos bëhemi shembull i keq e të kthehemi shtatë javë përpara”, ka thënë ai ndër të tjera.

Sipas tij, ato lokale që do të hapen do të punojnë vetëm me një të tretën e forcës, për shkak të masave të distancimit e se njerëzit që rrinë në këmbë nuk do të lejohen brenda lokaleve.

“Vetëm një e treta e forcës po i jepet, por qiraxhiu e pret pagesën komplet, e shpenzimet e presin. Shpenzimet vazhdojë njëjtë e qarkullimin e ke sa një e treta. Është e pamundshme, pa shtrirjen e dorës së shtetit, me subvencionim të pagave e qirave e të shtyhen kreditë. Kjo është sikur nga infuzioni t’i thuhet dikujt dil e vrapo. Duhet vitamina për të kthyer veten. Duhet një përkrahje ekonomike e shtetit për bizneset përndryshe mund të themi, siç më kanë thënë edhe pronarët e lokaleve se s’kanë llogari t’i hapin”, ka shtuar ai.

Sa i përket respektimit të distancës brenda kafeneve e restoranteve, arkitekti Agon Basha ka thënë se duhet të ketë riorganizime të hapësirave.

“Distanca që po diskutohet është 1.5 metra larg klienti nga klienti. Kjo do të ndikojë në organizime të lokaleve. Lokalet duhet të distancojnë tavolinat e pak varet edhe nga grupmoshat që i frekuentojnë ato hapësira. Varet edhe nga hapësira e lokalit. Nëse lokali është më i madh mund të menaxhohet më lehtë, por nëse është me hapësirë më të ngushtë është më vështirë e arritshme e duhet të bëhet me ndarje fizike, duke vendosur panele xhami, druri apo me gjelbërime të ndryshme. Duhet të ketë mbulesa njëpërdorimëshe, madje edhe menytë të jenë njëpërdorimëshe”, ka deklaruar Basha.

Të ngjashme