Gazetari kosovar dyshon se po fshihen rastet me Covid: Dy familjarë i kam pozitiv, dikush po rren

Prishtinë | 25 Maj 2021 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Gazetari Kosovar Shefket Bujari nga Suhareka po hedh dyshime rreth rënies së rasteve me Covid-19 në Kosovë.

Ndonëse në raportin ditor të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës nuk rezulton asnjë rast pozitiv në Suharekë, ai përmes një shkrimi në Facebook, thotë se dje u testua ai dhe dy famijarë të tij dhe rezultuan pozitiv në këtë virus.

“IKSHPK po thotë 11 raste, a n’fakt veç n’Suharekë me gjasë janë kaq! Hiç ma larg se dje u testova me dy pjesëtarë tjerë t’familjes. Dy prej tyre dolën pozitiv, e unë negativ! Ama Suhareka dje e sot sipas raportit të IKShPK-së i ka 0 raste pozitive me COVID-19. Tash ja p’ju rrejn QKMF, ja spo i qet me qëllim IKShPK-ja!”, ka shkruar ai.

Sipas IKSHPK-së në 24 orët e fundit nga ky virus ka vdekur një person dhe 11 tjerë kanë rezultuar pozitiv.

Këto shifra kanë dalë nga gjithsej 3.291 mostra sa janë testuar gjithsej.

IKSHPK njofton edhe për 258 të shëruar në 24 orët e fundit.

Njoftimi i plotë:

258 TË SHËRUAR DHE 11 RASTE ME COVID-19!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.291 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 11 raste pozitive.
Brenda 24 orëve është raportuar vetëm 1 rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rasti i vdekjes është nga komuna: Prizren 1 rast (67 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 107.269 raste nga 597.019 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.241 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 258 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.725 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.303.

Rastet pozitive janë nga komunat: Drenas 3 raste, Prishtinë 3 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga një rast komunat Kaçanik, Skenderaj dhe Viti.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!

Të ngjashme