Gjakova dhe Malësia e Gjakovës nderojnë kongresistin Eliot Engel, me emërtimin e një rruge

Prishtinë | 05 Kor 2019 | 14:54 | Nga Ekonomia Online

Gjakova dhe Malësia e Gjakovës, kanë pritur sot, Eliot Engel, mikun e madh amerikan të shqiptarëve në Kosovë dhe kongresmen në SHBA, të cilit i kishin rezervuar një pritje madhështore.

Sipas një njoftimi në rrjetin social në Facebook të Kuvendit Komunal të Gjakovës, Engel fillimisht ka vizituar Qendrën Kreative “Bone Vet”, me ç ‘rast nga stafi i kësaj qendre dhe nga kryetari i komunës së Gjakovës është njoftuar për së afërmi me aktivitetin e përditshëm dhe misionin e “Bone Vet”.

Sipas njoftimit, kongresisti Engel i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, bashkëpunëtorët dhe dy veprimtarët shqiptaro – amerikan Harry Bajraktari dhe Rrustem Geci, është ndalur në pikën kufitare të Qafë Morinës, aty ku është zhvilluar ceremonia e emërtimit të rrugës Ponoshec – Bajram Curri, me emrin “Eliot Engel”, vendim ky i marrë bashkërisht nga komuna e Gjakovës dhe bashkia e Tropojës.

“Krahas kryetarit të komunës së Gjakovës Ardian Gjini dhe kryetarit të bashkisë së Tropojës Besnik Dushaj, në pritje të kongresistit Engel ka dalë edhe presidenti i republikës së Shqipërisë Ilir Meta.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast, kryetari Gjini dhe kryetari i bashkisë së Tropojës Dushaj, janë shprehur falënderues për kontributin e madh të kongresistit Engel, ndërsa kanë shtuar se emërtimi i përbashkët i rrugës me emrin e tij, është edhe një dëshmi më tepër se ky kontribut nuk është dhënë kot, por ka ndikuar shumë që shqiptarët në të dyja anët e kufirit të jenë të lirë dhe më të bashkuar”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, presidenti shqiptar Ilir Meta, në fjalën e tij ka thënë se emërtimi i rrugës me emrin e Eliot Engel është më e pakta që shqiptarët kanë mundur të bëjnë për të nderuar kontributin e tij dhe të popullit amerikan, por ka shtuar se në aspektin emocional emri i Eliot Engel është jo vetëm në këtë rrugë, por në zemrat e të gjithë shqiptarëve në tërë botën.

Ndërkohë, duke folur para të pranishmëve, vet kongresisti Eliot Engel se përgjatë këtyre viteve ka dëgjuar për Shqipërinë dhe Kosovën dhe për mikpritjen e shqiptarëve, por tashmë është i lumtur që ka ardhur edhe personalisht t’i shoh këto dy vende të ta përjetojë këtë mikpritje.

Ai ka rikujtuar ditët e vështira të shqiptarëve dhe faktin se ky popull nuk e humbi asnjëherë shpresën duke luftuar për liri e demokraci, prandaj edhe ka garantuar se me këtë frymë, aleanca dhe miqësia në mes të popujve shqiptar dhe atij amerikan nuk do të zhduket asnjëherë.

Kongresisti Engel dhe delegacioni që po e shoqëron kanë zhvilluar një vizitë edhe në qytetin e Bajram Currit dhe në Luginën e Valbonës, për tu kthyer përsëri në Gjakovë, për të vënë kurora me lule në Pllakatin e vendosur në sheshin “Tom Lantosh” dhe për të zhvilluar një takim me kryetarin e komunës së Gjakovës Ardian Gjini. /Telegrafi/

Të ngjashme