Gjashtë kandidatë për drejtor të “Dodonës” që pret daljen nga kriza

Prishtinë | 20 Gus 2018 | 09:30 | Nga

Gjashtë kandidatë i kanë hyrë garës për drejtor të teatrit të qytetit të Prishtinës “Dodona”. Por pavarësisht që konkursi është mbyllur para një muaji, ende nuk është bërë ndonjë hap konkret për vlerësimin e kandidatëve njëri prej të cilëve do të udhëheqë institucionin për katër vjetët e ardhshëm. Regjisorët Shkurte Aliu, Kastriot Saqipi, Visar Krusha e Ben Apolloni janë katër nga emrat që i ka mësuar gazeta.

Tashmë ka mbetur që Këshilli Drejtues i “Dodonës” të marrë dosjet e kandidatëve dhe t’i ftojë ata në intervista. Ende nuk dihet se kur do të zhvillohet ky proces. Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se tashmë çështja është në dorë të anëtarëve të Këshillit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Sipas Statutit të Teatrit, Këshilli Drejtues e zgjedh drejtorin”, ka thënë Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës.

Por anëtari i Këshillit Drejtues të “Dodonës”, Kushtrim Koliqi, ka thënë se nuk është aspak i kënaqur, por tejet i brengosur me proceset në lidhje me ngjalljen e Teatrit të qytetit. Sipas tij, “Dodona” gjendet në një komë të gjatë.

“Dodona” qysh prej janarit të vitit 2017 është pa drejtor. Deri në korrik asnjëherë nuk është hapur konkurs për këtë pozitë. Agron Shala ka qenë drejtori i fundit i këtij institucioni. Ushtruese e detyrës ka qenë Fatime Mehmetaj deri në verën e vitit të kaluar.

Për gati gjashtë muaj, teatri i qytetit të Prishtinës, kishte mbetur edhe pa këshill, derisa u emërua përbërja e re me anëtarë, regjisorin Kushtrim Koliqin, dramaturgen Doruntina Basha, aktorin Enver Petrovci, regjisoren Hana Qena dhe Bekim Sele si përfaqësues i Komunës së Prishtinës.

Të ngjashme