Gjatë vitit 2018 janë trajtuar 212 raste të dhunës në familje

Prishtinë | 09 Jan 2019 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë vitit 2018, falë bashkëpunimit dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave dhe Gjykatën Themelore në Gjilan, ka trajtuar 212 (dyqind e dymbëdhjetë) raste të dhunës në familje.

Nga të gjitha rastet e trajtuara, Prokuroria Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur 186 (njëqind e tetëdhjetë e gjashtë) aktakuza, në 17 (shtatëmbëdhjetë) raste janë bërë propozime për shqiptimin e masave të trajtimit të detyrueshëm, 4 (katër) propozime për shqiptimin e masave edukative, janë hudhur 2 (dy) kallëzime penale dhe për 3 (tri) raste janë pushuar hetimet.

Për të gjitha veprat penale, të cilësuara si dhunë në familje, 90% e viktimave kanë qenë femra, të cilat kanë përjetuar dhunë psikike dhe fizike, madje në shumë raste, nga kryerësit janë shkelur edhe urdhërat mbrojtës, me të cilët janë parashikuar masat mbrojtëse ndaj viktimave.

Prioritet i rëndësishëm i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka qenë dhe mbetet dhuna në familje, ku në këto raste janë ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase, duke ofruar fillimisht mbrojtje emergjente ndaj viktimave, pastaj është vazhduar me procedurat ndaj kryerëse të këtyre veprave penale. Madje, në shumicën e rasteve, me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale, ndaj të pandehurve janë paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Në regjionin e Gjilanit, gjatë këtij viti, dhuna në familje, ka rezultuar një problem madhor, pasi që numri i këtyre veprave penale vazhdon të jetë i lartë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, do të vazhdojë të trajtojë me seriozitet të theksuar dhunën në familje, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar këtë fenomen mjaft të përhapur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme