Gjenden armë në aksionin kundër kontrabandimit me migrantë

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 16:24 | Nga

Pesë persona janë arrestuar nga policia për falsifikim të dokumenteve, kontrabandim të migrantëve dhe shmangie të tatimit.

Policia ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit pas hetimeve intensive të kryera, lidhur me veprimtarinë kriminale të të dyshuarve, që në vazhdimësi merreshin me kryerjen e veprave penale të kontrabandimit të migrantëve, falsifikimin e dokumenteve dhe shmangie nga tatim, ka realizuar një operacion policor, në të cilin janë arrestuar pesë të dyshuarit.

Me 11 prill, në pesë lokacione në rajonin e Prishtinës dhe një lokacion në Gjakovë, policia ka kryer kontrolle të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, pronë e të dyshuarve, me qëllim të mbledhjes së provave për veprimtarinë kriminale të të dyshuarve.

Policia si provë materiale ka sekuestruar dy armë të gjata, pesë armë të shkurta, 175 fishekë, katër vula të firmave të ndryshme, dy pasaporta dhe dokumente të tjera që vlejnë për procedurë të mëtejme gjyqësore.

Pesë të arrestuarve nga policia Sh. Sh, 57 vjeç, I.S, 44 vjeç, N.B, 52 vjeç, Xh. N, 56 vjeç dhe A. T, 31 vjeç, me urdhër të prokurorit u është caktuar ndalimi policor për vazhdim të procedurës së mëtejme gjyqësore.

Edhe në Zubin- Potok u zhvillua një aksion kundër lëshimit të faturave fiktive.

Të ngjashme