Gjendja e 3 vjeçares nga Kosova që shpëtoi në aksidentin ku i vdiq e gjithë familja

Prishtinë | 15 Jan 2021 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Nga aksidenti tragjik mbrëmë në Rrugën e Kombit, ka arritur që të shpëtojë vajza më e vogël e familjes. Bëhet fjalë për një 3-vjeçare që aktualisht është duke u trajtuar në spitalin e Traumës në Tiranë.

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në Rrugën e Kombit, më saktësisht në aksin rrugor Rrëshen-Rubik. B.A 49-vjeç së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tij që po udhëtonin nga Kosova drejt Shqipërisë në momentin kur u përplasën me një mjet të tonazhit të rëndë, poashtu me vozitës shtetasin kosovar, shkruan Gazeta Express.

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani ka konfirmuar për Express, se gjendja e vogëlushes vazhdon të jetë e rëndë.

“Posa fola me mjekun në spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas mjekut vogëlushja ka lëndime të rënda trupore dhe thyerje të eshtrave. Gjendja e saj tashmë është më stabile dhe mjekët po shpresojnë që do të përmirësohet”, ka thënë ai për Express.

Dyshimet e para janë se makina me të cilën udhëtonte familja nga Kosova ka tentuar të parakalojë automjetet para tij në një kthesë, ku edhe nuk ka mundur ta shohë kamionin që vinte në drejtim të tij. Në atë moment ndodhi edhe përplasja tragjike.

Drejtuesi i kamionit po nga Kosova , mbrëmë është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje.

Policia e Kosovës ka lëshuar poashtu detaje lidhur me aksidentin që ndodhi në Rrugën e Kombit. Si pasojë e aksidentit dyshohet se kanë vdekur katër persona, shtetas të Kosovës.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Më 14.01.2021 rreth orës 19:00 është pranuar një informatë nga Qendra e Përbashkët e Bashkëpunimit KS-AL në PKK Vermicë, se në ‘Rrugën e Kombit’ në pjesën e Republikës së Shqipërisë, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, dyshohet se si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën katër persona shtetas të Republikës së Kosovës. Ne jemi në kontakt me autoritet policore të Republikës së Shqipërisë dhe për detaje tjera u njoftojmë më kohë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme