Gjendja stabile në Drenas, QKMF-ja ofron shërbime 24 orë

Prishtinë | 19 Mar 2020 | 10:05 | Nga Hasan Hoti

Komuna e Drenasit ka formuar Shtabin Emergjent, i cili kryesohet nga Kryetari Ramiz Lladrovci dhe përbëhet nga akterë tjerë relevant, të cilët po monitorojnë gjendjen aktuale dhe zbatimin e masave preventive ndaj virusit COVID-19.

Zyra për Komunikim me Publikun, kanë thënë për Ekonomia Online se të gjitha masat dhe rekomandimet nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht IKShP-ja, po zbatohen në përpikëri si nga niveli lokal, ashtu edhe nga qytetarët.

“Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Drenas dhe QMF në Komoran, janë duke ofruar shërbim 24 orë për qytetarët në mënyrë sa më profesionale dhe të sigurt. Stafi mjekësor sa i përket higjienës po e mirëmban vazhdimisht, mirëpo, furnizimi me pajisje si maska, dezinfektues, doreza nga niveli qendror (MSh), nuk është ai mjaftueshëm”.

“Punëtorët shëndetësorë kanë shprehur shqetësime që nuk janë furnizuar sa duhet në këtë situatë kur ata duhet të ofrojnë shërbime të sigurta për qytetarët. Për këtë, si komunë, kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Shëndetësisë, që të na furnizoj me pajisje të nevojshme për stafin shëndetësorë”, thuhet në përgjigjen e tyre për EO.

Në këtë komunë ende nuk ka raste të verifikuara sa i përket kësaj epidemi, por, “për siguri kemi vendosur një tendë në hapësirat e QKMF-së në Drenas, në mënyrë që personat që dyshojnë se kanë simptoma të ngjashme me të virusit COVID-19, të kontrollohen fillimisht në tendë. Tendë tjetër po ashtu, kemi vendosur edhe në hapësirat e QMF-së në Komoran”.

“Në kuadër të masave, stafi është reduktuar, por shërbimet për qytetarë po vazhdojnë. Është bërë dezinfektimi i objektit të administratës komunale, Qendrës për Punë Sociale, si dhe pastrimi i rrugëve të Drenasit dhe masa të tjera të nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit COVID”, thuhet më tej në përgjigje.

Drejtoria e Inspekcionit dhe zyrtarët policor, po inspektojnë bizneset vazhdimisht për mbajtje të higjienës dhe çmime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme