Gjendje alarmuese në KOSTT shkaku i “spastrimeve dhe linçimeve”, paralajmërohet protestë

Prishtinë | 01 Gus 2021 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Një gjendje aspak e mirë e cila mund që qoj deri në protestë është krijuar brenda kompanisë publike KOSTT.

Kjo mësohet nga një letër të cilën së voni Sindikata e punëtorëve të KOSTT-it i ka dërguar bordit të kësaj kompanie.

Në të shpjegohen arsyet e pakënaqësive të krijuara brenda kompanisë si dhe kërkohen veprime për kthimin e gjendjes në normalitet.

Në këtë letër, një kopje të së cilës e ka siguruar Gazeta Infokus thuhet se brenda KOSTT-it ka filluar një fushatë spastrimi tendencioz i punëtorëve kontributdhënës nga ana e menaxhmenit aktual.

“Është alarmues fakti që punëtorë të zellshëm të kompanisë, linçohen e degradohen, në vend që të vlerësohen për punën profesionale. Veprimet e tilla pamundësojnë ushtrimin e pavarësisë profesionale nga cilido punëtor në kompani ngase për interesa të ngushta vërehet se po kthehen në hakmarrje ndaj të njëjtëve, e cila po shpie deri edhe në sakrifikimin e pozitave të cilat i mbanin në emër të punës e zellit, në mbrojtje dhe respektim të ligjeve në fuqi”, thuhet në letrën që i është drejtuar bordit të KOSTT-it.

“Veprimet e tilla të ulëta dhe joprofesionale”, sipas sindikalistëve, nuk janë në dobi të kompanisë dhe si të tilla “krijojnë pasiguri tek punëtorët dhe dëmtojnë rëndë imazhin e kompanisë, para vetë punëtorëve të KOSTT-it , por edhe të akterëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm”.

“Nga ana tjetër, emërimi i personave në pozita menaxheriale në emër të përmbushjes së agjendave të caktuara, imazhi i dyshimit i të cilëve në KOSTT është i padiskutueshëm, madje pa treguar asnjë angazhim dhe kontribut në dobi të kompanisë është i papranueshëm, i pakapshëm dhe fyerje për kolektivin”, kanë shkruar sindikalistët.

Pavarësisht qëllimeve dhe arsyetimeve, sipas tyre, instalimi i praktikave të tilla në kompani duhet të ndalohet dhe të korrigjohet sa më parë.
“Të arriturat dhe reputacioni i KOSTT-it si brenda dhe jashtë vendit është arritur falë djersës dhe punës së të gjithë punëtorëve pavarësisht menaxhmenteve që ka pasur”, thuhet në letrën e Sindikatës.

Rasti më i freskët i persekutimeve për qëllime të ulëta personale, konsiderohet se është shkarkimi nga pozita e u.d të sekretarit të përgjithshëm të kompanisë, të mërkurën me 28 korrik 2021.
Sipas sindikatës, i shkarkuari gjithmonë ka treguar bashkëpunim, performancë, profesionalizëm si dhe ka mbrojtur në mënyrë më të mirë interesat e kompanisë.

“Në emër të sindikatës së pavarur të KOSTT, distancohemi nga vendimi i bordit të drejtorëve lidhur me rastin në fjalë, dhe shprehim indinjatë të thellë lidhur me veprimet e këtilla denigruese, poshtëruese, dekurajuese dhe tendencioze të menaxhmentit të cilat vënë në pikëpyetje përgjegjshmërinë, paanshmërinë dhe profesionalizmin e tyre”, thuhet në letër.

Me këtë rast, sindikalistët u kanë bërë thirrje Bordit të KOSTT-it, Qeverisë dhe Kuvendit që të ndërmarrin hapa urgjent lidhur me rastin në fjalë dhe të ndalen praktikat e tilla në KOSTT.

Sindikalistët kanë shprehur bindjen se kërkesa e tyre do të merret parasysh, në të kundërtën kanë paralajmëruar se do të përdorin të drejtën për protestë aktive.

Gazeta Infokus mëson nga burimet e veta se shkarkimi i u.d sekretarit të Bordit të drejtorëve të KOSTT-it ka ardhur për shkak se nuk e ka aprovuar kërkesën e Kryeshefit Ekzekutiv akual, Mustafë Hasani, për kompensim të pagave për periudhën Gusht 2017-Nëntor 2020 (mbi 130.000 EUR), kur bordi ishte i shkarkuar.

Ndër tjera, si shkelje të Bordit të Drejtoreve dhe Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT-it, burimet e gazetës veçojnë avancimet pa kritere të disa prej punonjësve në kundërshtim me politikat dhe rregulloret në fuqi të KOSTT-it.

Rritja pa kritere dhe me preferenca personale e pagave të disa prej punonjësve, thuhet se e ka dëmtuar buxhetin e KOSTT-it dhe i ka demotivuar pjesën tjetër të punonjësve.
Dyshime për keqpërdorime mbi bordin e KOSTT-it rëndojnë edhe rreth proceseve tenderuese.

Të ngjashme