Gjeneral Jashari së bashku me oficeret e dalluara të FSK-së në shkollim jashtë vendit u pritën nga Presidentja Osmani

Prishtinë | 07 Shk 2022 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti sot në takim toger Liridona Baftjari – Jasharin, nëntoger Jeta Berishën dhe nëntoger Arbenita Haxholli – Grezdën, të cilat kanë treguar preformancë të jashtëzakonshme gjatë kryerjes së kurseve të karrierës në akademitë e shteteve partnere.

Toger Liridona Baftjari – Jashari është oficer i fushës së komunikimit dhe ka përfunduar Kursin e Oficerit Shtabor në Institutin e Luftës Tokësore në Turqi. Për preformancën e shkëlqyer gjatë këtij kursi Toger Baftjari u vlerësua si oficeri më i mirë ndërkombëtar.

Nëntoger Jeta Berisha është gjithashtu oficer i fushës së komunikimit dhe ka përfunduar Kursin Bazik të Oficerit për Sinjale në SHBA. Gjatë këtij kursi Nëntoger Berisha u dallua në përvetësimin e planit mësimor dhe u shpërblye me çmimin “Dexter Award”, që jepet për oficerin e dalluar ndërkombëtar.

Nëntoger Arbenita Haxholli – Grezda është oficer i fushës së logjistikës dhe ka përfunduar Kursin Bazik të Oficerit për Logjistikë, në Universitetin Ushtarak për Logjistikë në SHBA. Nëntoger Haxholli – Grezda gjithashtu diplomoi në këtë kurs si studente e dalluar ndërkombëtare.

Me këtë rast, Gjeneral Jashari, para oficereve u shpreh se, ndihet krenar me arritjet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe falënderoi oficeret për përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Po sot, Gjeneral Jashari së bashku me oficeret u pritën në takim nga Presidentja e Republikës së Kosovës, njëherit Komandantja Supreme e FSK-së, Znj. Vjosa Osmani , me ç’rast e njoftoi me arritjet e tyre.

Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se arritjet e oficereve tona janë pasqyra më e mirë e profesionalizmit dhe mundësive të barabarta në FSK. Kurse, Gjeneral Jashari shprehu bindjen e thellë që këto arritje do të inkurajojnë edhe më shumë gratë dhe vajzat e reja që të bashkohen në shërbim të atdheut.

Të ngjashme