Gjenerata 2023 e rekrutëve të rinj të FSK-së dha betimin solemn

Prishtinë | 26 Sht 2019 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Në repartet e kazermës ,, Adem Jashari’’ të Shtabit të Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Prishtinë, sot u zhvillua ceremonia e betimit e rekrutëve të rinj, gjenerata 2023, të cilët filluan vitin akademik 2019/20 në Qendrën për Studime Universitare të Akademisë së Mbrojtjes.

Në ceremoni ishin të pranishëm: ministri i Mbrojtjes z.  Rrustem Berisha, zëvendësministri Kadri Kastrati, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm z. Faruk Geci, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Irfete Spahiu, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s, gjeneral Michael Obernayer, gjeneralë, oficerë të FSK-së dhe NALT-it, si dhe shumë familjarë e miq të rekrutëve të rinj.

Pas rreshtimit, inspektimit dhe intonimit të himnit shtetëror, fjalën e rastit e paraqiti ministri i Mbrojtjes z. Rrustem Berisha, i cili këtë gjeneratë të rekrutëve e cilësoi si gjeneratën më me fat: ,,Kjo është një datë me rëndësi për FSK-në. Ju jeni gjenerata e parë e kadetëve që keni nderin t’i bashkoheni FSK-së me mandat të ri ushtarak. Sot, duhet të jeni krenarë për arritjet tuaja dhe të zotoheni që gjithmonë do ta nderoni uniformën e FSK-së, ta nderoni atdheun, t’i respektoni eprorët tuaj dhe ta mbroni paqen, lirinë dhe shtetin tonë’’.

Në fund të fjalës së tij, ministri Berisha deklaroi: ,,Si Ministër i Mbrojtjes, jam krenar  me vajzat dhe  djemtë  tanë ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, të cilët me sukseset e tyre në shkollat dhe trajnimet e përfunduara nëpër akademi të ndryshme të vendeve të NATO-s, kanë treguar performansë të shkëlqyer dhe kanë përfaqësuar me nder FSK-në. Pres që edhe ju ta ndiqni shembullin e tyre’’.

Gjithashtu komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Irfete Spahiu, tha se programi i edukimit dhe trajnimit të kadetëve/oficerëve është i bazuar në dy komponentë, atë akademik të cilën e marrin në Universitetin Amerikan të Kosovës dhe komponentin e  udhëheqjes së trupave, të cilin e ofron Qendra për Studime Universitare, njëra nga 5 qendrat e KDS-së, përmes stafit të instruktorëve më të përgatitur profesionalisht’’.

Në fund të ceremonisë, 14 rekrutët e rinj, para komandantit të QSU-së major Vegim Krelani dhe të pranishmëve të tjerë, solemnisht dhanë betimin si kadetë të FSK-së dhe nënshkruan kontratat për shërbim në FSK.

Të ngjashme