Gjetaj merr përkrahje nga EULEX-i për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur

Prishtinë | 23 Mar 2017 | 11:07 | Nga

EULEX-i, do të ofrojë të gjithë përvojën, dijen, pajisjet dhe ekspertizën profesionale për institucionet e Kosovës në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Këtë mbështetje ia dha shefja e misionit të EULEX-it, Alexandra Papodopoulou, kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj gjatë takimit që zhvilluan sot.

Në një komunikatë për medie thuhet se kryesuesi Gjetaj, njoftoi Shefen e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, për punën dhe aktivitetet e realizuara nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjithnjë me mbështetjen edhe të institucioneve ndërkombëtare, në përpjekjen e përbashkët për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes të të gjithë personave të zhdukur.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar në ofrimin e gjithë përkrahjes së nevojshme për punën profesionale, dhe çdo lokacion të shënjuar brenda territorit të Republikës së Kosovës ta procedojmë sa më parë në kuptimin e vlerësimit profesional, gjithnjë në respektim të procedurave ligjore në fuqi dhe të drejtës së familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, ka thënë Gjetaj.

Kurse, shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, edhe gjatë këtij takimi siguroi kryesuesin Gjetaj, që EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë gjithë përvojën, dijen, pajisjet dhe ekspertizën profesionale për institucionet e Kosovës, në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

“EULEX është këtu për të ndihmuar institucionet e Kosovës, dhe Kosova duhet të ecë përpara duke trajtuar edhe çështjet nga e kaluara, dhe sigurisht që çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet kyçe, edhe pse gjetja e personave të zhdukur, është proces tejet i ndërlikuar. Dhe sa më shumë koha kalon, gjërat vështirësohen, por sido që të jetë ne nuk do të dorëzohemi”, ka thënë ajo.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe punën që është bërë nga ekspertët e EULEX-it dhe bashkërisht u vlerësua e nevojshme që të intensifikohet bashkëpunimi mes të gjithë akterëve të angazhuar në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Në fund të takimit, kryesuesi Gjetaj dhe shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, u dakorduan që të vazhdojnë së bashku në këtë proces dhe të bëhet gjithçka është e mundur për t’u bërë, që familjarët e personave të zhdukur të mësojnë të vërtetën.

Të ngjashme