Gjini ngushëllon për vdekjet e dy gjakovarëve nga Coronavirusi, thirr për kujdes

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka ngushëlluar familjet e dy viktimave të koronavirusit, njëri prej të cilëve ishte polici Ilir Gjokaj.

Ai tha se këto vdekje, përveç dhimbjes, rikujton edhe rrezikun e këtij virusi, prandaj ai ka bërë thirrje që të rritet kujdesi.

“Jemi thellësisht të pikëlluar me lajmin për humbjen e jetës së dy bashkëqytetarëve tanë ditën e djeshme. Pandemia Covid-19 po vazhdon të jetë e pamëshirshme, duke larguar herët nga ne policin shembullor Ilir Gjokaj dhe afaristin e suksesshëm Avdi Avdija, dy qytetarë të dalluar dhe kontributdhënës të palodhur për shoqërinë tonë”.

“Humbja e tyre, përveç dhembjes, është edhe një rikujtim për të gjithë ne, se ky virus tashmë po na kërcënon të gjithëve pa asnjë përjashtim. Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet Gjokaj e Avdija, për miqtë e bashkëpunëtorët e dy të ndjerëve, lusim të gjithë qytetarët që të shtojnë maksimalisht kujdesin dhe të respektojnë gjatë tërë kohës masat e kërkuara nga profesionistët shëndetësor”.

“Të mos harrojmë se jeta jonë, jeta e secilit qytetar të komunës së Gjakovës, në këto momente është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Lutemi që humbja e Ilirit dhe Avdiut të jenë humbjet tona të fundit.Nderim i përjetshëm për Ilir Gjokajn e Avdi Avdiun!”.

Të ngjashme