Gjurmët në doreza, zbulojnë vjedhësit shqiptarë në Amerikë pas 4 vjetësh

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Një shqiptar që jetonte në New York ka pranuar para gjykatës se ai dhe një bashkëpunëtor tjetër shqiptar janë fajtorë të një vjedhjeve të kryer në një dyqan në Breckock Township. Ngjarja ka ndodhur në nëntor të vitit 2014.

Ndërkohë mediat amerikane shkruajnë se Epirot Krasniqi u vu në shënjestër të policisë vetëm në verën e vitit 2018. Shkak u bënë gjurmët e gishtërinjve në një palë dorezash duarsh që grabitësit kishin harruar në momentin e vjedhjes.

28-vjeçari pranoi fajin të hënën përpara gjykatësit Thomas G. Parisi dhe u dënua me 23 muaj burg. Ai do ta vuajë dënimin në burgun Berks County. Sipas një marrëveshjeje të bërë për shkak se u pendua, pas dënimit shqiptari do të kalojë pesë vjet në shërbim prove.

Prokurori i çështjes së Krasniqit, tha se ai së bashku me një shqiptar tjetër morën 5.000 dollarë nga dyqani. Bashkëpunëtori i Krasniqit është Liridon Gashi, 33 vjeç. Ai akuzohet nga autoritet amerikane për një serë krimesh që kanë të bëjnë me vjedhje. 33-vjeçari është vënë gjithashtu në pranga dhe pritet të dalë para të njëjtit gjykatës në Korrik.

Por si ndodhi grabitja në Nëntor të 2014-s?

Vjedhja u zbulua kur menaxheri hapi dyqanin rreth orës 4 të mëngjesit. Ai gjeti produkte të ndryshme të shpërndara nëpër dysheme dhe dy kasafortat poshtë banakut të hapura.

Gjithashtu dy të rinjtë kishin dëmtuar edhe bankomatin në dyqan. Ata ishin siguruar që të shkëpusnin panelin e kontrollit në mënyrë që të mos binte alarmi. Megjithatë shqiptarët nuk arritën të futeshin dhe të merrnin para nga bankomati pasi siguresa nuk ishte prekur.

Mirëpo, 28-vjeçari dhe 33-vjeçari bënë gabimin në ikje. Ata harruan një palë doreza dhe një levë hekuri, që dyshohet se është përdorur për të hapur dyert. Kaq mjaftoi dhe autoritetet i dërguan dorezat në një laborator. Në Janar të 2018-s autoritetet lokale morën një njoftim se gjurmët e gishtërinjve i përkisnin Krasniqit.

Mirëpo dy të rinjtë shqiptar nuk e kishin mbyllur këtu serinë e vjedhjeve. Krasniqi kishte qenë në arrest federal në Nëntor të 2017-s. Shkak ishte një grabitje që kishte bërë sëbashku me Gashin në Providence në Tetor të atij viti.

Ata akuzoheshin se kishin vjedhur një supermarket Target. Aty kishin marrë 14.000 dollarë nga një bankomat. Përveç kësaj ata kishin çarë një mur dhe morën disa substanca në një farmaci.

Për ngjarjen, autoritetet reaguan menjëherë dhe i gjetën shqiptarët të fshehur në tubat e ajrimit. Aty kishin futur edhe mjetet që kishin përdorur gjatë grabitjes, mes të cilave edhe dy radiomarrëse./abcnews.

Të ngjashme