Gjykata e Apelit ende pa vendim për konfirmim ose jo të aktakuzës në rastin “Pronto”

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 19:36 | Nga Ekonomia Online

Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj dhe 8 persona tjerë që janë zyrtarë të ndryshëm publikë, ende janë në pritje të vendimit të Apelit për rastin Pronto. Javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dërguar në shqyrtim kryesor këtë aktakuzë.

Por, avokatët mbrojtës janë ankuar ndaj këtij vendimi, duke thënë se është i padrejtë. Ata i konsiderojnë të paligjshme provat e Prokurorisë për përgjimet e bisedave të Adem Grabovcit, sepse ishin marrë gjatë hetimeve për një rast tjetër, atë MTPT, raporton KTV.

Avokati Florent Latifaj, i cili mbron Adem Grabovcin, ka thënë për KTV-në se provat e Prokurorisë dhe vendimi i Themelores janë të papranueshme.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, ka konfirmuar se ankesën e kanë pranuar më 19 prill dhe brenda një afati optimal, do të vendosin nëse rasti do të shkojë në gjykim ose do të hidhet poshtë. Pritjet e Prokurorisë Speciale janë që rasti të shqyrtohet në gjykim.

Vitin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën ndaj 11 personave, përfshirë ministrin Besim Beqaj, deputetin Zenun Pajaziti dhe ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ata akuzohen për shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Kosovës.

Të ngjashme