Gjykata e hedh poshtë aktakuzën për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik në Gjilan

Prishtinë | 17 Nën 2021 | 14:13 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën për hudhje të aktakuzës  ndaj të akuzuarit Naim Sallahu, i cili akuzohej nga prokuroria se nuk e paraqiti para autoritetit kontraktues aktgjykimin dënues.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi ka aprovuar kërkesën e mbrojtësve të të pandehurit Naim Sallahu, avokatit, Idriz Syla e Flamur Bllacaku, duke e hudhur aktakuzën nga Prokuroria Themelore e Gjilanit për shkak se vepra për të cilën akuzohet nuk përbën vepër penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 1 te KPRK-së.

Në arsyetimin e aktvendimit thuhet se në bazë të aktgjykimit me numër P.KR.nr. 16/18 shifet se Naim Sallahu ka qenë i  dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muaj, mirëpo ky dënim i është zëvendësuar me dënim me gjobë në lartësi prej 3.000 euro, i plotfuqishëm me datë 11.05.2018.

Këtë dënim me gjobë Naim Sallahu e ka paguar me datë 04.06.2018.

Kështu që, Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 21.04.2021, në bazë të kërkesës së Naim Sallahut ka lëshuar një vërtetim, sipas të cilit gjykata ka dhënë shpjegime, se dënimi me gjobë nuk prodhon pasoja juridike.

Andaj, duke i bazuar në këtë Gjykata është e bindur se në veprimet e të pandehurit Naim Sallahu nuk ka elemente të veprës penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 1 te KPRK-së, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës i pandehuri Naim Sallahu në cilësinë e pronarit të operatorit ekonomik “Sallahu” SHPK, më seli në fshatin Biçec në Kaçanik, me vetëdije i ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik.

Në aktakuzë thuhet se gjatë aktivitetit të prokurimit publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, ndërtimi i rrugës Viti-Kërbiq-Kacanik, “Deklaratë nën Betim” ka aplikuar duke ndërmarrë veprim të kundërligjshëm, më qëllim të ndikojë në vendimin e prokurimit publik të shpallur nga Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që nuk ka paraqitur para autoritetit kontaktues aktgjykim dënues nga Gjykata Themelore në Prishtinë ku e ka pasur obligim sipas Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë.

Andaj, ai akuzohet nga prokuroria për veprën penale, “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik”, sipas nenit 415, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në pesë vite.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme