Gjykata Speciale, a e prishë imazhin e UÇK-së, Kosovës, apo liderëve që arrestohen…?

Prishtinë | 10 Tet 2016 | 15:28 | Nga

Gjykata Speciale mund ta çlirojë Kosovën nga ata që e kanë kapur e zaptuar. • Gjykata Speciale e dëmton UÇK-në, por jo më shumë sesa ata që bën veprime të këqija në emër të UÇK-së! • Gjykata Speciale mund t’i gjykojë individët, por jo luftën tonë për liri. • Gjykata Speciale, në radhë të parë është e dhimbshme që do të ndodhë pas afër dy dekadash nga që jemi çliruar. • Gjykata Speciale, do të merret me individ, për të cilët nëse ka prova për ndonjë krim të supozuar, UÇK nuk do të bëhet ombrellë mbrojtëse, dhe se, kjo Gjykatë, do ta pastroj imazhin e UÇK-së e jo ta njollosë.

Krijimi i Gjykatës Speciale, për krimet e pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ngjallur debate të shumta ndërmjet pozitës dhe opozitës. Madje, kundër kësaj Gjykate ka pasur edhe protesta në rrugët e Prishtinës, të cilat ishin edhe të dhunshme, ku shumë anëtarë e deputetë të opozitës, e veçmas të Lëvizjes Vetëvendosje ishin arrestuar.

Megjithatë, edhe pas tensioneve, Kuvendi i Republikës së Kosovës, votoj pro krijimit të Gjykatës, e cila do t’i hetojë individët për të cilët pretendohet, se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit të viteve 1998/1999 nga ana e UÇK-së.

Por, Gjykata Speciale, a e prishë imazhin e UÇK-së, Kosovës, apo liderëve që do të arrestohen…?

Për këtë çështje, deputetë dhe analistët politik, mendojnë që, kjo Gjykatë e dëmton Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por, ata mendojnë edhe që, Gjykata speciale mund t’i gjykojë individët, por jo luftën tonë për liri, madje sipas tyre, askush nuk e dëmton UÇK-në, më shumë sesa ata që bën veprime të këqija në emër të UÇK-së.

Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Gazetën InfoPress se, Gjykata Speciale e dëmton imazhin e luftës Çlirimtare, por jo edhe të të akuzuarve potencialë.

Vetëm UÇK-ja po mbetet pa mbrojtës

“Po të donin ta akuzonin ndonjë nga bartësit e luftës këtë kanë mundur ta bëjnë gjithmonë. Por Gjykata Speciale ka qellim tjetër, ta dëmtojë UÇK-në mbi të gjitha. Ndoshta të akuzuarit eventualë mund të angazhojnë avokatë mbrojtës, në rast se akuzohen. Vetëm UÇK-ja po mbetet pa mbrojtës. Qeveria, në vend se të vihej në mbrojtje të luftës, ajo është kthyer në prokuror ndaj UÇK-së”, thotë deputeti Selimi.

Opinionisti dhe analisti politik, Imer Mushkolaj, thekson për InfoPress se, nëpërmjet Gjykatës Speciale duhet bërë përpjekje që të përmirësohet imazhi i Kosovës, dhe sipas tij, Kosovën mund ta çlirojë Gjykata Speciala nda ata që e kanë kapur dhe zaptuar.

Gjykata Speciale mund ta çlirojë Kosovën nga ata që e kanë kapur e zaptuar

“Kosovës e UÇK-së imazhin ia kanë prishur liderë partiakë e komandantë që kanë bërë çmos në emër të vlerave të luftës. Imazhin e kanë prishur ata që kanë përfituar pasuri e privilegje dhe kanë bërë çmos në emër të luftës. Me gjykime të drejta, Gjykata Speciale mund t’i ndëshkojë ata që kanë bërë veprime kriminale, duke i hedhur hije të zezë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Gjykata Speciale mund ta çlirojë Kosovën nga ata që e kanë kapur e zaptuar”, thekson Mushkolaj.

Ndërsa, analisti politik Arbër Gashi potencon se, Gjykata Speciale nuk mund ta prishë imazhin e Kosovës, për shkak se rrethanat historike të kohës lindën dhe zhvilluan grupet e armatosura të rezistencës.

“Si çdo luftë, edhe në luftën tonë ka pasur devijime të cilat duhet të marrin përgjigjen e merituar, pa pasur nevojë të frikësohemi nga gjykimi i historisë. Në këtë kontekst, Gjykata Speciale mund t’i gjykojë individët, por jo luftën tonë për liri, sepse këtë do ta bëjmë kurdoherë që e kërkon nevoja, pa e pyetur asnjë gjykatë për mendimin e saj. Liria është ajo vlerë që nuk ka çmim dhe për të cilën ia vlen të luftosh e të japësh maksimumin”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit për mbrojtjen e veteranëve, Xhevdet Qeriqi, thotë se, është kundër themelimit të kësaj Gjykate, sepse bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme se kush ka kryer krime në Kosovë dhe ajo duhet të merret me ata.

“Ne kemi pas një qëndrim ku e kemi kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate dhe vazhdojmë ta kemi atë qëndrim. Arsyeja se pse kemi qëndrim kundër, është se e gjithë bashkësia ndërkombëtare e dinë se kush ka kryer krime në Kosovë dhe në vend që të merren me kriminelët e në këtë rast janë serbët ata merren me viktimën”, pohon Qeriqi.

Gjykata po vjen për shkak se ne kemi dështuar

Kurse, analisti politik Leon Duhanaj, thekson për Gazetën InfoPress se, kur bëhet fjalë për imazhin e UÇK-së, askush më shumë as s’mundet, por as s’e ka prishë se sa ata të cilët bënë vepra e sjellje të këqija, në emër të sajë.

“Të gjithë e dimë që individ të papërgjegjshëm, e kanë keqpërdorur UÇK-në për interesa e përfitime personale e klanore. Gjykata Speciale, në radhë të parë është e dhimbshme që do të ndodhë pas afër dy dekadash nga që jemi çliruar. Nuk do ta imagjinoja asnjëherë një zhvillim dhe një qasje të tillë të shqiptarëve, ndaj vendit dhe ndaj shtetit të vet. Gjykata nuk po vjen për shkak se dikush dëshiron të na dëmtoj imazhin, natyrisht që ka të tillë mjaftë, por Gjykata po vjen për shkak se ne kemi dështuar. Ne si kolektivitet kemi dështuar ta tregojmë atdhedashurinë, përgjegjësinë dhe gatishmërinë tonë ndaj vendit dhe ndaj shtetit tonë”, thekson Duhanaj.

Sipas tij, ne kemi dështuar ta vendosim interesin e përgjithshëm mbi interesin personal dhe, kjo është e dhimbshme. Madje, ai shton se, ne kemi dështuar ta dëshmojmë dashurinë ndaj vendit dhe UÇK-së dhe në vend të kësaj, kemi preferuar ta keqpërdorim për t’i mbuluar kërkesat individuale. “Ne e kemi dëmtuar imazhin e UÇK-së për aq sa na është dhënë mundësia, në çdo vend në çdo aktivitet”.

UÇK nuk do të bëhet ombrellë mbrojtëse e atyre nëse ka prova për ndonjë krim të supozuar

“Gjykata Speciale, do të merret me individ, për të cilët nëse ka prova për ndonjë krim të supozuar, UÇK nuk do të bëhet ombrellë mbrojtëse. Përgjegjësia është krejtësisht individuale. Këtë e ka dëshmuar edhe procesi në Gjyqin e Hagës. Dot thosha se Gjykata Speciale, nëse ka individ të tillë që identifikohen me krimin dhe mbrohen nën ombrellën e UÇK-s, atëherë, kjo Gjykatë, do ta pastroj imazhin e UÇK-së e jo ta njollosë”, përfundon ai.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës, që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marty, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bazë të këtyre supozimeve, prokurori amerikan Clint Williamson, ka zhvilluar edhe një hetim të gjerë. E veçanta e funksionimit të kësaj Gjykate do të jetë roli i prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtar dhe trajtimi i rasteve jashtë Kosovës, për të shmangur presionet dhe ndërhyrjet në punën e gjyqësorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme