Gjykata në Prizren shpall fajtor një person për keqtrajtim të kafshëve

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve përmes një postimi në facebook ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtor një person në komunën e Suharekës, i cili ishte akuzuar për keqtrajtim të kafshëve, sipas nenit 346 të Kodit Penal.

“Organizata jonë ka bërë kallëzim penal në verë të këtij viti, ndaj personit në fjalë dhe është për t’u parë pozitivisht se si organet e drejtësisë kanë marrë përsipër këtë rast më shpejtë se zakonisht dhe që kanë shpallu fajtor një individë që ka keqtrajtuar një qen të rrugës, duke bërë që qeni i tij agresiv ta sulmojë, lëndojë, ndjekë në shqetësim dhe stres, qenin e rrugës, i cili me shumë gjasë nuk i ka shpëtuar vuajtjeve dhe lëndimeve”.

Dënimin e shqiptuar, kjo organizatë e konsideron shumë të ulët.

“Edhe pse për organizatën tonë dënimi i shqiptuar në këtë rast është shumë i ulët, sidomos duke pasur parasysh që personit në fjalë nuk i është konfiskuar qeni, prapë se prapë është një nga rastet e para të dënimit për shkak të keqtrajtimit të kafshëve. Për fat të keq nuk dimë për fatin e qenit të rrugës, por ka shumë mundësi që nuk është më gjallë”.

“Ne do të vazhdojmë t’i adresojmë ankesat tona tutje dhe t’i ndërmarrim hapat e radhës ligjor për rastet e ndryshme që kemi paraqitur tani e sa kohë në prokuroritë e Kosovës dhe do të kërkojmë vazhdimisht përsosmëri në punën e prokurorëve, që ta bëjnë akuzen e duhur ndaj personave abuzues dhe të kërkojnë nga Gjykata që të jepen denimet maksimale për të gjitha rastet e keqtrajtimit të Kafshëve”.

Në njoftim thuhet se Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve do të vazhdojë të ndihmojë Prokurorinë dhe Policinë në paraqitjen e veprave penale të keqtrajtimeve të kafshëve si dhe organizimit të luftërave me qen.

Të ngjashme