Gjykatësja pyet dëshmitarin pse deklaroi ndryshe për UNMIK-un më 2006

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Ka filluar gjykimi ndaj Salih Mustafës në ditën e katërt radhazi. Dëshmitari është paraqitur edhe sot dhe po pyetet nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Gjykatësja ka pyetur disa herë dëshmitarin për deklaratën që kishte dhënë më 2006 ai para UNMIK-ut dhe ka tentuar për të disatën herë të marrë një përgjigje se pse deklarata e dëshmitarit ka ndryshuar vite më vonë.

Deklarata për të cilën e pyeti gjykatësja Mappie Veldt Foglia ishte për ushtarët në Zllash, në vendin ku dëshmitari pretendon se është mbajtur dhe se ka deklaruar se i kishte parë me maska, por të njëjtën deklaratë kur e kishte dhënë për herë të parë kishte thënë se nuk i kishte parë.

“Po ju pyes sepse përpara UNMIK-ut në 2006 ju thatë se kishte një person që kishte vënë një maskë që jua vendosi pistoletën. Pse ke thënë se kishte një person me maskë? Ti ke thënë që personi kishte maskë dhe këtu po thua që nuk ka pasur maskë. Pse ke thënë ndryshe më 2006”, pyeti gjykatësja.

Ndërsa dëshmitari u përgjigj se nuk e mban mend.

“Ndoshta kam thënë, por nuk besoj që ka pasur maskë, nuk kam mundur ta shikoj. Kam harruar ndoshta kam thënë, por tash po them se nuk e kam parë me maskë”.

Foglia insistoi sërish për sqarim.

“Në deklaratën tuja ditët e fundit, ju thatë që pas një muaji pasi u liruat kur ishit në Zllash se ti mësove se cili ishte emri i komandantit në vendin ku mbaheshe. Në të njëjtën deklaratë ti the që në deklaratën e 2006, jo pasi u lirove por disa muaj pas kur ti se dije kush ishte përgjegjësi. A mund të na shpjegosh që.. pardje the që pas një muaji e mësove kush ishte personi përgjegjës por para UNMIK-ut ke thënë se nuk e di kush është personi përgjegjës. Pse nuk ke thënë atëherë (2006) emrin që kishe mësuar”, pyeti sërish gjykatësja.

Dëshmitari u përgjigj se është pyetur “nja 200 herë” dhe se nuk e mban mend çfarë ka thënë.

Gjykatësja i tha se ndërrimi i deklaratave nga dikush mund nënkuptohet sikur po gënjen, porse dëshmitari përsëriti se ka harruar çfarë ka thënë.

Të ngjashme