Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, edhe sot vazhdon dëgjimi i gazetarit kosovar

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 09:24 | Nga Ekonomia Online

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, edhe sot pritet të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të dytë, ish-gazetarit të gazetës “Infokus”, Halil Berisha.

Dëshmitari Berisha, dëshminë e tij e ka nisur të martën.

Ky dëshmitar, dëshminë e tij e filloi pas përfundimit të dëshmisë së Koordinatores së hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zenka Pumper, e cila ishte dëshmitarja e parë në këtë rast.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Të ngjashme