Gjykimi për keqpërdorime me fondet e “Llamkos”, dëgjohen pesë dëshmitarët e fundit të propozuar nga prokuroria

Prishtinë | 21 Dhj 2021 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Me dëgjimin e dëshmitarëve ka vazhduar të martën gjykimi për keqpërdorimin e fondeve të kompanisë “Llamkos”, ku po akuzohen Luan Berisha, Driton Muharremi, Ilir Pushka dhe Mehmet Sunguri.

Dëshmitarët Sylë Mustafa, Shaip Pllana, Nazmi Ismajli, Fatos Rexha dhe Shqipo Sejdiu kanë dhënë versionet e tyre lidhur me pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, lidhur me keqpërdorimet me fondet e kompanisë “Llamkos”.

Ish referenti i shitjes në fabrikën e llamarinës “Llamkos”, Nazmi Ismajli tha se kjo kompani pas privatizimit ishte nën pronësi të një personi me shtetësi bullgare.

“Aty kam qenë në bazë të kontratës, të cilën e kam lidh me Luan Berishën”, tha ai duke shtuar se aty kishte punuar nga viti 1987, deri në vitin 2014.

Dëshmitari tha se kishte punuar në cilësinë e shitësit dhe kishte marr pjesë vazhdimisht në shitjen e llamarinave.

“A ka dal ndonjëherë mall nga Llamkosi pa emër të blerësit, pa destinacion” ishte pyetja e gjykatësit Arben Hoti ku dëshmitari tha se nuk ka njohuri.

Pas tij, seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Mustafë Syla, i cili tha se si vozitës i kamionit kishte kryer transportin e mallërave me pagesë.

Dëhsmitari Syla tha se kishte punuar edhe për fabrikën “Llamkos” ku kishte transportuar llastra – llamarina.

“Na kemi hi me kamiona, kemi shku i kemi ngarku kemi marr fletat e rrugës dhe i kemi shkarku”, tha ai duke shtuar se transportin e kishte bërë kryesisht në Prishtinë dhe pagesën e kishte marr pas shkarkimit të mallit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Arben Hoti ia paraqiti dëshmitarit një dokument me nënshkrimin e tij për të konfirmuar nëse ai ishte i tij dhe dëshmitari e konfirmoi këtë.

Ai u ballafaqua me dëshminë e tij të dhënë në polici ku kishte thënë se kishte transportuar mall edhe në Maqedoni, por tani ai tha se nuk i kujtohet, duke shtuar se duhet të shihet se kush ka qenë shofer pasi që ai kishte qenë mbikëqyrës i të gjithë shoferëve të tjerë.

Më pas seanca vazhdoi me dëgjimin e menaxherit në sektorin e shitjes në fabrikën “Llamkos’, Fatos Rexha.

Në pyetjen e prokurores Florie Shamolli se a kishte dëgjuar ndonjëherë për firmën “Llamkos”, dëshmitari tha se në fabrikën “New Llamkos” kishte punuar në pozitën e menaxherit të sektorit të shitjes.

Ai tha se detyrë e tij ka qenë përgatitja dhe përcillja e prodhimit dhe shitjes së produkteve varësisht nga kërkesat e blerësve.

“Kush ka qenë drejtor në atë kohë” ishte pyetja e prokurores ku dëshmitari tha se gjatë kohës sa ai kishte qenë i punësuar kishte qenë Luan Berisha dhe më pas disa muaj Basri Asllani.

Sa i përket lidhjes së kontratave dëshmitari në pyetjen e prokurores u përgjigj se kontratat gjithmonë janë lidhur nga drejtori gjeneral pas aprovimit të pronarit që ka qenë në Sofje të Bullgarisë.

“A ju kujtohet shitja e bërë në vitin 2007, në vlerë prej 487,176.93”, ishte pyetja e prokurores ku dëshmitari tregoi detaje lidhur me mallin që ka qenë objekt i kësaj shitblerje dhe se për këtë ai tha se ka pasur kontratë midis kompanisë dhe “New Llamkos”.

“A ka ndodh najher një mall me shku te një firmë tjetër dhe me u faturu për një tjetër”, ishte pyetja e prokurores ku dëshmitari tha se nuk ka mund të ndodh kjo.

Në pyetjen e avokatit Ramë Gashi lidhur me kompetencat e tij në vendin e tij të punës, dëshmitari deklaroi se obligimi i tij ka qenë shitja e materialit i cili është përandit dhe ka qenë i gatshëm për shitje.

“Na kemi pas diku për 15 muaj rreth 60 mijë ton llamarinë e kemi procesu dhe krejt kjo shitje ka shku përmes sektorit të shitjes ku unë kam qenë menaxher, nga prejardhja e matrialit deri në fund, unë kam qenë përgjegjës me i dhanë urdhëratë për prodhim”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se të gjitha kërkesat e blerësve që kanë ardhur në bazë të kontratave, brenda apo jashtë Kosovës janë përgatitur nga ai.

Në pyetjen e të akuzuarit Berisha se a kishte pasur raste kur ishte dhënë malli me pagesë të mëvonshme, dëshmitari tha se po.

Në pyetjen e gjykatëses Shadije Gërguri se a kishte pasur kontratë me shkrim në mes të drejtorit Luan Berisha dhe firmës “Shen”, dëshmitari u përgjigj se të gjitha kontratat kanë qenë në dosjen e vitit përkatës.

Më pas u dëgjua edhe dëshmitari Shaip Pllana i cili tha se gjatë vitit 2007, kishte punuar si shofer i kamionit dhe se ndër shërbimet që i kishte kryer kishte qenë edhe në “Llamkos”.

Ai tha se në kuadër të punës së tij kishte kryer shërbime të transportit për kompani të ndryshme ndër to edhe për kompaninë “Llamkos”.

Gjatë kësaj seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Shqipo Sejdiu i cili tha se kishte qenë aksionar në kompaninë “Elm Gorup”.

Ai tha se bashkë me të në këtë kompani kishte qenë aksionar edhe Luan Berisha.

Sejdiu gjatë dhënies së dëshmisë së tij, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli dha detaje lidhur me disa transaksione bankare që ishin bërë midis kopanisë në fjalë dhe kompanive të tjera.

Ndërkaq, lidhur me Luan Berishën, dëshmitari tha se nuk e kishte ditur se ku kishte punuar më parë i njëjti.

Në pyetjen e të akuzuarit Luan se a e din kohën kur kishte dal si aksionarë nga kjo kompani, dëshmitari tha fundi i vitit 2011, dhe sa i përket arsyes, dëshmitari tha se kompania kishte operuar me humbje.

Në pyetjen e gjykatësit Hoti se në polici kishte deklaruar se kanë investuar me kompaninë e taksit të quajtur “London”, nga 15 mijë euro, si është e mundur të jetë një shumë kaq e ulët përderisa bëhet fjalë për një kapital shumë të madh.

“Sa vetuara i keni pas” ishte pyetja e gjykatësit ku dëshmitari tha se fillimisht 15 më pas deri në 30.

Ndërsa sa i përket çmimit të një veture, dëshmitari tha se rreth 27 mijë euro.

Dhe në pyetjen se si kishin funksionuar, dëshmitari tha se kishin gjetur mënyra të ndryshme për të qëndruar në treg.

Sa i përket vendimeve si kompani, dëshmitari tha se ai nuk ishte marr me këtë çështje dhe se kryesisht ishte menaxhuar nga Luani.

Pas përfundimit të dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit Berisha avokati Ramë Gashi tha se është duke siguruar disa prova materiale dhe paralajmëroi propozimin e disa dëshmitarëve.

Seanca e radhës ku pritet të vazhdohet me administrimin e provave materiale është caktuar për datën 31 janar 2022.

Ndryshe, në këtë rast, akuzuar kanë qenë edhe Remzi Podvorica e Ramush Muli, si dhe A.K, mirëpo për ta është pushuar procedura.

I akuzuari A.K ka ndërruar jetë, ndërkaq me anë të vendimit të gjykatës, që është vërtetuar nga Apeli, për pikat një dhe gjashtë të aktakuzës është hudhur poshtë aktakuza dhe pushuar procedura penale për shkak se prokurori special ka hequr dorë nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Të përfshirë në pikën e gjashtë të aktakuzës kanë qenë edhe Remzi Podvorica e Ramush Muli, për të cilët është pushuar procedura, ndërkaq vazhdon gjykimi për të akuzuarit tjerë për pikat tjera të aktakuzës, të cilat janë konfirmuar nga gjykata.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 9 tetor 2019, ka paraqitur aktakuzën e ndryshuar në këtë rast.

Sipas kësaj aktakuze, të akuzuarit Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka po dyshohen se duke vepruar në bashkëveprim me njëri tjetrin, si bashkëpronarë të biznesit Sh.P.K “Alcon”, nga Ferizaji, gjatë vitit 2005 kishin shitur karburante naftë dhe gaz, ndërmarrjes së re “Llamkos”, në emër të kompanisë fiktive “Gini-Trade”, në vlerë 243 mijë e 409 euro e 82 centë.

Sipas prokurorisë, sipas urdhrit të të akuzuarit Luan Berisha, si drejtor i “Llamkos”, gjatë vitit 2005 kompanisë “Gani Trade”, në periudha të ndryshme i ishin paguar 172 mjë e 312 euro e 89 centë, si dhe në vitin 2006, të gjitha pagesat në shumë prej 125 mijë e 430 euro ishin paguar në para të gatshme nga arka e ndërmarrjes “Llamkos”, personit Venhar Jonuzi, duke paguar shumën prej 297 mijë e 742 euro.

Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit kishin paguar 5 mijë e 333 euro e 18 centë më shumë sesa që kishin pranuar mall, ndërsa të akuzuarit Muharremi, A.K dhe Pushka, pas pranimit të pagesave me para të gatshme nga “Llamkosi”, me qëllim që t’i paraqesin si të hyra legale nga biznesi “Alcon”, në xhirollogarinë e kësaj të fundit kishin deponuar 286 mijë e 919 euro, duke e dëmtuar ndërmarrjen “Llamkos”, në shumë prej 55 mijë e 333 euro e 18 centë.

Për këto veprime, po dyshohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”.

Ndërsa i akuzuari Luan Berisha, po dyshohet se edhe pse e kishte ditur se pasuria buron nga aktiviteti kriminal kishte përfituar nga të akuzuarit Muharremi, A.K dhe Pushka parcelën në sipërfaqe 10,000 m2, në Nerodime të Epërmen, Komuna Ferizaj, dhe me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burgimit të prejardhjes së pasurisë, kishte lidhur kontratë kinse për blerjen e patundshmërisë në shumë prej 6 mijë euro të cilën shumë, i njëjti asnjëherë nuk e kishte paguar.

Për këto veprime, Berisha po ngarkohet me veprën penale “Pastrimi i parave”.

Tutje, Luan Berisha, Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka akuzohen se me datë 25 shkurt 2007, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit- llamarinë e zinkuar në ndërmarrjen fiktive “Shen”, si blerës, në vlerë të përgjithshme prej 487 mijë e 176 euro e 9 centë, ku pastaj një pjesë e mallit në shumë prej 224 mijë e 820 euro e 72 centë, me urdhrin e të pandehurit Berisha, është transportuar në depon e fabrikës së vajit “Alcon” në Ferizaj, me bashkëpronarë të pandehurit Muharremi, A.K dhe Pushka, të cilin mall ata asnjëherë nuk e kanë paguar dhe ende figuron si borxh ndaj “Llamkos”, me të cilat veprime të pandehurit Berisha, Muharremi, A.K dhe Pushka e kanë dëmtuar këtë ndërmarrje, në vlerë prej 224 mijë e 820 euro e 71 centë.

Me këtë akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Luan Berisha akuzohet se me dashje duke ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes së natyrës, burimit, vendimit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, respektivisht për shërbimin e kundërligjshëm të kryer në dobi të pandehurve Driton Muharremi, A.K dhe Ilir Pushka, më detajisht e përshkruar në pikën III të aktakuzës, i pandehuri Driton me datën 11 korrik 2008 ka deponuar të pandehurit Luan Berisha shumën prej 100 mijë euro.

Tutje thuhet se me qëllim të fshehjes dhe maskimit të burimit të prejardhjes së pasurisë, i pandehuri Luan Berisha ka themeluar kompaninë “Elm Gorup”, ku në xhirollogarinë e këtij biznesi, Luan Berisha me datën 27 tetor 2009 ka deponuar shumën prej 1 mijë e 900 euro, me datën 20 dhjetor 2009, shumën prej 35 mijë euro si dhe me datën 21 gusht shumën prej 7 mijë e 500 euro.

Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Pastrim i parave”.

Tutje, në dispozitivin e pestë thuhet se me urdhrin e të pandehurit Luan Berisha, drejtor i ndërmarrjes së re “Llamkos”, gjatë muajit shkurt 2007, në këtë ndërmarrje është faturuar shitja e mallit – llamarinë e zinkuar për ndërmarrjen fiktive NTP “Shen” si blerës, në shumë prej 143 mijë e 598 euro, i cili mall pastaj me urdhrin e të pandehurit Berisha është transportuar nga “Llamkos” tek ndërmarrja “Sunguri” me pronar të pandehurit Mehmet Sunguri, të cilin mall i njëjti asnjëherë nuk e ka paguar, me të cilat veprime të pandehurit Luan Berisha dhe Mehmet Sunguri e kanë dëmtuar ndërmarrjen e re “Llamkos” në shumë prej 143 mijë e 598 euro.

Me këtë akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Kurse, dispozitivi i fundit thotë se me urdhrin e Luan Berishës gjatë muajit shkurt 2007, në ndërmarrjen “Llamkos” është faturuar shitja e mallit – llamarinë e zinkuar për ndërmarrjen fiktive NTP “Shen” si blerës, në shumë prej 57 mijë e 147 euro e 60 centë, i cili mall pastaj me urdhrin e tij të pandehurit Luan Berisha është transportuar nga “Llamkos” te ndërmarrja tjetër, me pronarë të pandehurit Remzi Podvorica dhe Ramush Muli, të cilin mall asnjëherë nuk e kanë paguar.

Me këto veprime thuhet se Berisha, Podvorica dhe Muli e kanë dëmtuar ndërmarrjen “Llamkos” në vlerë prej 57 mijë e 147 euro e 60 centë.

Me këtë akuzohen se në formë të bashkëpunimit- bashkëkryerjes kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme