Gjykimi për mashtrim me viza, dëshmitarët thonë se nuk kishin marrë viza pune edhe pse kishin paguar shuma të mëdha të parave

Prishtinë | 16 Sht 2021 | 14:38 | Nga Ekonomia Online

Në gjykimin për mashtrim me viza ndaj ish-deputetit M.Z si dhe të akuzuarve I.K. dhe E.K., janë dëgjuar dëshmitarët Fejzë Havolli dhe Mërgim Kosumi.

Tre të akuzuarit po dyshohen për mashtrim, shmangie nga tatimi dhe pastrim parash, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Fejzë Havolli, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit speciale Milot Krasniqi, ka thënë se në vitin 2017 kishte aplikuar për vizë pune në qytezën Pejton në Prishtinë, dhe sipas tij, për mundësinë e aplikimit për vizë pune ishte njoftuar përmes shokëve, ose përmes rrjeteve sociale.

“Kam qenë në agjencion për të aplikuar për vizë punë, kam biseduar me një punëtore Blerta dhe personalisht kam fol me I.K dy herë live, njëherë kam paguar 50 euro dhe herën tjetër 500 euro. Paratë ia kam paguar kesh Blertes, e cila për të dy pagesat më ka dhënë fletëpagesat”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, nga kontrata e punës, viza e punës ka qenë për periudhën gjashtë mujore, por ka deklaruar se kontratën nuk e ka parë fizikisht por vetëm përmes “Viber”, pasi i kishin informuar se kontrata ishte gati dhe se duhet të paguaj shumën prej 500 euro për këtë kontratë.

Por, ai ka thënë se pavarësisht pse kishte paguar 550 euro, asnjëherë nuk ishte pajisur me vizë punë sipas marrëveshjes me agjencinë dhe se as paratë nuk iu ishin kthyer asnjëherë.

Pas kësaj, tha se kishte komunikuar me të akuzuarin I.K përmes “Viber”, por i njëjti sipas dëshmitarit i kishte thënë se ka pasur probleme shëndetësore apo familjare dhe më pas tha se kishte humbur kontakti, e se kishte qenë e pamundur të kontaktoj me të.

Ai tha se M.Z nuk e kishte parë asnjëherë në zyre të agjencionit dhe se për këtë çështje nuk kishte biseduar asnjëherë me të.

Dëshmitari ka thënë se do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike dhe sipas tij, ai kërkon kompensim dëmi në shumë 550 euro, aq sa kishte paguar për vizë pune.

“Liromani sot xhirollogarinë unë ju kisha kthy paratë”, ka reaguar i akuzuari I.K.

Dëshmitari tha se me të kuptuar përmes rrjeteve sociale se po denoncohej I.K për mosrealizimin e kontratave për vizë pune, atëherë ai kishte shkuar dhe e kishte lajmëruar rastin në polici.

Në seancën e së enjtes është dëgjuar edhe dëshmitari Mërgim Kosumi, i cili ka thënë se personalisht nuk kishte aplikuar për vizë pune pasi kishte qenë jashtë vendit, por sipas tij, aplikimi për vizë në emër të tij ishte bërë përmes babait dhe axhës.

Aplikimi për vizë pune në Gjermani dëshmitari tha se ishte bërë me 25 janar 2017, në zyrat e të akuzuarit I.K., e cila sipas dëshmitarit ka qenë ngjitur me zyrën e M.Z.

Sipas tij, kur kishte shkuar personalisht në zyrën e I.K, këtë të fundit nuk e kishte gjetur aty, por e kishte takuar M.Z., me të cilin tha se kishin biseduar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se babai dhe axha i tij e kishin informuar se kishin aplikuar tek një vajzë me emrin Blerta dhe se kishin paguar 1 mijë e 50 euro, për të cilën pagesë kishin lëshuar edhe një fletëpagesë.

Sipas dëshmitarit, ai kishte tentuar të kontaktojë I.K ose një familjar tij, për shkak se sipas dëshmitarit, kishte dëgjuar se familjari i tij po ua kthente paratë personave që nuk kishin arritur të merrnin vizë punë, por sipas dëshmitarit ka qenë i pamundur të vihet në kontakt.

Pas kësaj, ai tha se kur ishte kthyer në Kosovë kishte shkuar tek zyra e të akuzuarit I.K., mirëpo të njëjtin nuk e kishte gjetur, por tha se aty afër e kishte takuar të akuzuarin M.Z.

“M.Z më tha, a te ky matrapazi erdhe a?. Unë i tregova për çka kam ardhur te I., pastaj kam shkuar në zyre të tij, kemi biseduar pasi M., e njeh axhën tem, ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumin. Më tha se kishin bashkëpunuar me I.K për punën e vizave. Më tha se fillimisht kanë paguar 50 euro, por pasi I., e ka rritur dozën unë jam tërhequr. Pastaj ma ka tregu dokumentin që nuk bashkëpunon më me I. data në dokument ka qenë ose 06.09.2017 ose 09.06.2017”, ka thënë dëshmitari.

Ai tha se I.K u kishte thënë se nëse nuk bëhet viza, paratë e aplikimit do të kthehen, por sipas dëshmitarit, ato para asnjëherë nuk iu ishin kthyer.

“Kërkoj të më paguhen shuma prej 1 mijë e 50 euro, si dhe mëditjet për ardhjen në polici, në gjykatë, aq sa paguhet një mjeshtër në Kosovë”, ka thënë dëshmitari.

I akuzuari M.Z e pyeti dëshmitarin se a i kujtohet se i kishte thënë dëshmitarit të shkojë në polici dhe ta paraqiste rastin, por dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet saktë por sipas tij, mund të ndodhë që M.Z i kishte thënë që të paraqiste rastin në polici.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili se si kishte dëgjuar që nuk po jepen vizat e punës, dëshmitari tha se përmes rrjeteve sociale ishte informuar se nuk po jepen vizat e punës.

“I kam pa në rrjete sociale komentet, ofendimet e I.K me njerëzit tjerë dhe prej atij momenti e kam kuptu se nuk ka kurgjo prej kësaj pune. Nuk kam dëgjuar që ndonjë person e ka marrë vizën dhe ka shkuar në Gjermani”, ka thënë dëshmitari.

Pas dëgjimit të këtyre dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit E.K, ka kërkuar nga gjykata që të ndahen lista e dëshmitarëve nga ana e prokurorinë, me qëllim që të shpejtimit të procedurës.

Për këtë ka reaguar edhe i akuzuari M.Z., i cili ka thënë se prokuroria në këtë aktakuzë kishte krijuar dëshmitarë imagjinar.

“Në rast se prokuroria e din në këtë rast, se kush janë dëshmitarët që i ka marrë vetëm me listat e aplikantëve dhe prej këtyre listave ka krijuar dëshmitarë imagjinar, unë për veten time vetëm pse kam obligime familje, se ndryshe do të kërkoja që 920 veta me u dëgju veç me pa se çfarë prokurorie kemi”, ka thënë i akuzuari M.Z.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 17 shtator 2021, në ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, në shkurt të këtij viti kishte refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës të ish-deputetit M.Z, E.K dhe I.K lidhur me hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tyre.

Apeli kishte lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila gjithashtu kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të cilët kishin kërkuar hedhjen e aktakuzës.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, M.Z, në seancën fillestare të mbajtur më 29 tetor të vitit të kaluar, ishte deklaruar i pafajshëm për veprat penale të mashtrimit, shmangies nga tatimi dhe pastrim të parave.

Të pafajshëm ishin deklaruar edhe dy të akuzuarit e tjerë, I.K dhe E.K.

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 28 gusht 2018, me pretendimin se tre të pandehurit kanë kryer disa vepra penale.

I/K dhe M.Z akuzohen se prej vitit 2016 deri në mars te vitit 2017 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror më 2 qershor 2016, kishin krijuar biznesin “I.K & M.Z Op”, si agjenci punësimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit thuhet se kishin paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani përmes emisionit “Pa Rrotlla” duke joshur qytetarët që të aplikonin në zyrat e tyre në lagjen “Pejton” të Prishtinës.

Tutje, pretendohet se në këtë rast ishte përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit I.K, F.K, e cila ishte marrë me përgatitjen e dokumentacionit për punësim në Gjermani në biznesin e saj për rregullimin e kopshteve.

I.K dhe M.Z akuzohen se kishin mashtruar 900 aplikues për viza pune e që me qëllim iu kishin marrë shuma prej 500 deri në 3050 euro duke i ndarë proporcionalisht mes vete.

Kurse, thuhet se pas fillimit të hetimeve 354 personave iu janë kthyer mjetet në vlerë prej 83,850 euro, kurse 546 personave të tjerë nuk u janë kthyer mjetet në shumë prej 261,850.00 euro.

Me këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 i KPRK-së.

Ndërsa, gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, sipas aktakuzës, si bashkëpronarë të biznesit të përmendur me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”.

I pandehuri I.K akuzohet po ashtu se me qëllim të fshehjes së burimeve të mjeteve financiare të fituara nga mashtrimi me viza pune dhe shmangies nga tatimi më 19 nëntor 2016, kishte bërë transaksione të dyshimta.

Me ç’rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pastrimi i parave”, nga neni 308 i KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurit M.Z dhe E.K akuzohen edhe për veprat penale “pastrim i parave”, mashtrimi dhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”.

Kurse, i pandehuri M.Z akuzohet se si pronar i NSH Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” me dashje direkte të shmangies së obligimit tatimor ndaj ATK-së kishte kryer veprën penale “shmangia nga tatimi”. 

Të ngjashme