Gjyqësori i ngadalshëm përballë qindra mijëra lëndëve të pazgjidhura

Prishtinë | 27 Qer 2017 | 08:47 | Nga

Sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë më ndër më të kritikuarit, qoftë kur flitet për joefikasitetit në punë, pastaj mospërmbarimit të lëndëve, por edhe sa i takon çështjes së korrupsionit.

Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës thonë se grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura, vazhdon të jetë problem i cili gjyqësorin po e përcjell në vazhdimësi.

Drejtuesit e Këshillit Gjyqësor thonë se aktualisht ka mbi 200 mijë lëndë të vjetra, të cilat nuk janë të zgjidhura, e që numri më i madhe i tyre janë në gjykatat themelore.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, duke folur për këto çështje tha për Radion Evropa e Lirë se në gjyqësori vërtet ka një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura.

“Këto lëndë janë të vjetra dhe janë trashëguara nga viti në vit. Po ashtu edhe numri i gjyqtarëve nuk ka qenë i plotësuar dhe kështu është shkaktuar në vazhdimësi ky grumbullim i lëndëve”.

“Jemi duke e bërë një strategji për zvogëlimin e këtyre lëndëve. Aktualisht jemi duke i grumbulluar të dhënat. Kemi ekspertë nga Amerika që do të na e bëjnë një plan konkret për këtë çështje”, tha Idrizi.

Për shkak të kësaj gjendje në sistemin e drejtësisë, ku numri i lëndëve të papërfunduara vazhdon të jetë shumë i madh, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në vitin 2010 kishte marrë një vendim për hartimin e një strategjie për reduktimin e lëndëve të vjetra. Pavarësisht dinamikës së grumbullimit të lëndëve të pambaruara, kjo strategji, sipas KGJK-së, është ende duke u zbatuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë aktualisht ka numrin më të madh të lëndëve të pazgjidhura.

Raporte të ndryshme vlerësuese vendore dhe ndërkombëtare kanë theksuar se qytetarët në Kosovë edhe më tej ballafaqohen me problemin e zvarritjes së procedurave për shqyrtim të lëndëve, si dhe me drejtësi joefektive.

Organizatat joqeveritare në Kosovë, që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë, konsiderojnë se krahas problemeve në vonesat e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe prokurori, ka probleme edhe me kategorizimin e lëndëve, të cilat duhet të jenë me prioritet për shqyrtim.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë drejtim problemet janë evidente pasi që në gjykatat e Kosovës, lëndët transferohen nga viti në vit.

“Në bazë të dhënave të vet Këshillit Gjyqësor të Kosovës thuhet se janë mbi 400 mijë lëndë të vjetra nëpër Gjykatat e Kosovës. Numri i madh i lëndëve në radhë të parë ndikohet nga fakti se partitë politike asnjëherë nuk e kanë pasur prioritet sistemin e drejtësisë në Kosovë duke mos ofruar numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve, respektivisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë”.

“Po ashtu, edhe keq menaxhimi apo keq administrimi i vet Këshillit Gjyqësore në raport me Gjykatën Themelore në Prishtinë ka ndikuar që të kemi një numër kaq të madh të lëndëve në gjykatat e Kosovës”, tha Miftaraj.

Për një funksionin normal dhe efikas, nënvizon Mifaraj janë hartuar shumë strategji, por, sipas tij nëse nuk do të ketë rritje të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ky sistem do të mbetet mbrapa edhe më tutje.

Ai konsideron po ashtu se me vonesën e zgjidhjes së lëndëve të cilat janë në gjykata, qytetarëve po u shkelen të drejtat elementare.

“Vet fakti që qytetarët duhet të presin me dekada për të realizuar një të drejtë, sigurisht që kjo ndikon në besimin e tyre për të pasur një proces të drejt, andaj derisa gjyqësori në Kosovë nuk i kryen obligimet e tyre në bazë të Kushtetutës, në bazë të afateve të përcaktuar në ligj, pa dyshim që qytetarët do të humbin besimin në drejtësi dhe në rastet e caktuara do të gjejnë rrugë të tjera për t’i realizuar të drejtat e tyre, të cilat pastaj mund të bien në kundërshtim me rendin kushtetues dhe ligjor në Kosovë”, tha Miftaraj.

Në raportet e publikuara, përfshirë edhe Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, sistemi i drejtësisë në Kosovë cilësohet si pak i besueshëm tek qytetarët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme