Gjyqtari Fidan Hoxha zgjedhet anëtar i KGjK-së

Prishtinë | 21 Qer 2021 | 17:39 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nga 223 pjesëmarrës në votim, me 139 vota në raundin e dytë gjyqtari Fidan Hoxha nga Gjykata Themelore në Prizren, është zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), raporton Ekonomia Online.

Ndërsa e nominuara tjetër, Mirlinda Bytyqi Rexhepi ka marr vetëm 74 vota.

Në raundin e parë gjyqtari Hoxha mori 124 vota, kurse gjyqtarja Bytyqi-Rexhepi mori 101 vota.

Fidan Hoxha është gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren, ka diplomuar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2012, ku vazhdon të ndjek studimet posdiplomike, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi në vitin 2015. Praktikën profesionale e kreu nga viti 2012 deri në vitin 2013 në Gjykatën e Themelore në Prizren. Nga viti 2013 deri në vitin 2014 ka punuar si jurist në kompaninë private ‘’Llapusha’’ në Prizren. Në vitin 2014 deri në vitin 2017 ka punuar si zyrtar ligjor në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Me datën 31 korrik 2017 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren.

Ndërsa në votimet e raundit të parë, me 129 vota është zgjedhur Arjeta Sadiku, anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Anëtarët e rinj do të zëvendësojnë në Këshill, kryesuesin Skender Çoçaj dhe anëtaren Anita Krasniqi-Prenaj të cilëve u skadon mandati në fillim të muajit korrik 2021.

Ndryshe, nga 317 gjyqtarë të gjykatave themelore me të drejtë vote, në raundin e parë kanë votuar 253 prej tyre.

Konkretisht, në garë për anëtarë të rinj të KGJK-së kanë qenë gjyqtarët, Arjeta Sadiku nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Mirlinda Bytyqi-Rexhepi nga Gjykata në Ferizaj, gjyqtari Fidan Hoxha nga Gjykata në Prizren, Veton Ademaj nga Gjykata në Pejë, Besnik Bislimaj nga Gjykata në Gjakovë dhe gjyqtari Veli Kryeziu nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Të gjithë këta kandidatë i kishin fituar garat e brendshme që ishin zhvilluar gjatë këtij muaji në gjykatat e tyre respektive.

Lexo më shumë:

Të ngjashme