Gjyqtari paraprak refuzon kërkesën e mbrojtjes së Veselit

Prishtinë | 19 Pri 2021 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit, me anë të së cilës ishte kërkuar që të dorëzohet dosja paraprake e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) deri më 1 qershor 2021.

Në këtë vendim, shpjegohet historiku i çështjes së kësaj kërkesë, ku thuhet se më 12 mars 2021, gjyqtari i procedurës paraprake ka marrë “Vendimin për Kategorizimin e Provave sipas Rregullës 109 (c) dhe Çështjet e Ndërlidhura” (“Vendimi për Kategorizim”), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë vendim për kategorizim të provave, thuhet se ndër të tjera, gjyqtari i procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën nga mbrojtja e Kadri Veselit, për të urdhëruar Prokurorinë e Specializuar të paraqesë dosjen paraprake në përputhje me Rregulloren 95 (4) të Rregullores deri në Prill 2021.

Tutje, thuhet se më 24 mars 2021, gjatë konferencës së katërt të statusit në këtë rast, mbrojtja e Veselit ka kërkuar që gjyqtari i procedurës paraprake të urdhërojë ZPS-së të paraqesë dosjen paraprake deri më së voni me 1 qershor 2021.

Me 6 prill, ZPS thuhet se ka dhënë përgjigjen e saj për këtë kërkesë, e se me 12 prill mbrojtja ka dhënë kundërpërgjigjen.

Në vendim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake kujton se në Vendimin për Kategorizim, ka deklaruar se kategorizimi specifik i çështjeve që do të zbatohej në “Legal Workflow”, programi i caktuar elektronik për zbulimin e materialit që ofron udhëzime adekuate për Mbrojtjen kur lexon Rregulloren 102 (1) (b ).

“Prandaj, Gjyqtari i Procedurës Paraprake nuk gjeti asnjë arsye për të urdhëruar ZPS-në që të paraqesë dosjen e saj paraprake që nga Prilli 2021”, thuhet në këtë vendim.

Tutje, në vendim thuhet se duke marrë parasysh që kategorizimi dhe zbulimi i materialit të Rregullit 102 (1) (b) supozohet të vazhdojë deri më 23 Korrik 2021 dhe se zbulimi i materialit të Rregullit 102 (3) ka të ngjarë të zgjatet deri në Shtator 2021, gjykatësi paraprak e gjen të parakohshme, në këtë fazë, të caktojë ndonjë datë për dosjen paraprake të ZPS-së dhe materialin përkatës.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme