GLPS: Epilogu i rastit Pronto, dëshmi e dështimit të planifikuar nga sistemi prokurorial dhe gjyqësor

Prishtinë | 22 Jan 2022 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) është thellësisht i zhgënjyer me epilogun e rastit të njohur si “Afera Pronto”. Dje, kur edhe është bërë publik vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin e të dënuarit të vetëm të këtij rasti, sistemi i drejtësisë, e më konkretisht sistemi prokurorial edhe një herë është goditur rëndë në pavarësinë, paanësinë dhe në vlerat mbi bazën e të cilave është themeluar dhe do duhej të funksiononte.

Është shqetësues fakti se si ky rast është dëshmi konkrete e dështimit të planifikuar të sistemit prokurorial dhe gjyqësor për të dënuar krimin në vend, e aq më shumë në raste të tilla ku përfshihen profile të larta politike të vendit. Përkundrazi, përfundimi i këtij rasti dëshmon se si sistemi mbështet dhe amniston ata, dhe qëndron i heshtur dhe i dobët ndaj krimit dhe korrupsionit në nivele të larta dhe jo vetëm. Ky rast është reflektim i mungesës së vullnetit, aftësisë dhe përgjegjësisë në detyrë të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët përmes pozitës së tyre i shërbejnë grupeve të ngushta të interesit dhe jo të mirës së përgjithshme për të cilën janë të zotuar.

Epilogu i këtij rasti është tregues i qartë i një sistemi të kapur, të manipuluar, me mungesë pavarësie dhe paanësie i cili punon në drejtim të amnistimit të të gjitha figurave të larta shtetërore, personave me lidhje të ngushta politike dhe shtrirje të gjerë të ndikimit, ndikim ky që nuk e përjashton as sistemin e drejtësisë. Për më tepër, ky rast do të mbetet në histori si dëshmi e antivlerave ekzistuese në sistem. Rastet si ky ulin vlerën dhe nderin e ushtrimit të profesionit të prokurorit dhe gjyqtarit në vend. Për më tepër, trajtimi i rasteve në mënyrë të tillë skandaloze dëmton rëndë imazhin dhe angazhimin e Kosovës karshi luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, një premtim dhe detyrim ky i vendit për të shënuar progres të mëtutjeshëm në rrugën e intergrimit euro-atlantik.

GLPS i bën thirrje Qeverisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës, Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor në Kosovë që të angazhohen me seriozitet të plotë në reformimin e rrënjësishëm të sistemit të drejtësisë në mënyrë që rastet e ngashme sikurse ky të trajtohen drejtë dhe me kujdes të shtuar dhe që sistemi të mos funksionojë në asnjë mënyrë mbi premisat e drejtësisë selektive. Secili nga institucionet e lartëpërmendura ka detyrim moral dhe kompetencë shtetërore të luftojë për vendin dhe qytetarët tanë.

Të ngjashme