GLPS: Rasti “Pronto” paraqet dështimin më të madh të sistemit të drejtësisë

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 11:47 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) mbajti konferencë për medie me temën “Si dështuan institucionet në trajtimin e rastit “Pronto” – Një reflektim mbi procesin në tërësi”, raporton Ekonomia Online.

Të gjeturat e analizës sipas GLPS-së fokusohen në disa nga mangësitë e PRSK-së dhe gjykatave në trajtimin e rastit në fjalë.

Rreze Hoxha tha se kjo analizë ka qëllim të bëjë identifikimin e shkeljeve dhe gabimeve procedurale dhe profesionale të shkaktuara nga institucionet në fjalë të cilat dërguan në përfundimin e rastit me aktgjykim lirues.

“Trajtimi i këtij rasti paraqet dështimin më të madh të sistemit të drejtësisë në vitin e kaluar sidomos sistemit prokuroria në ndjekjen e krimit dhe përfaqësimin e interesit publik me anë të secilit nuk janë ndëshkuar dukuri si nepotizmi, korrupsioni i lartë si dhe ndëshkimi si dhe ndikimi politik si mjet punësimi në institucionet shtetërore”, tha ajo.

Sipas saj rasti “Pronto” që nga publikimi i përgjimeve ka shkaktuar shqetësim të madh në publik, ku për herë të parë në Kosovë përmes medieve janë zbuluar metodat e punësimit të disa individëve nëpër ndërmarrjet publike shtetërore nga ndërhyrjet partiake te funksionarëve  të lartë publik

“Me datën 3 janar 2020 Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit nga ana e Prokurorisë duke mos ndëshkuar një praktikë te tillë të dëmshme për çdo proces shtetndërtimi dhe integrimi. Prokuroria Speciale ka tentuar të provojë kryerjen e veprës penale të ushtrimit të ndikimit politik të të pandehurve duke vepruar nga prapaskena dhe duke j akuzuar të pandehurit për shkeljen e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës dhe jo kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit te pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha ajo.

Sipas saj ky veprim numërohet si dështim i PSRK-së në trajtimin dhe mënyrën e aplikuar për zbardhjen e këtij rasti dhe ndëshkimin e krimit qe dyshohet të jetë kryer.

Leutrim Himaj nga GLSP-ja, tregoi disa nga shkeljet e gjetura.

“Aktakuza e këtij rasti është e mangër në aspektin subjektiv ngaqë nuk ka përfshirë të gjithë personat qe janë pjesë e përgjimeve. Prokuroria Speciale një pjesën e përgjimeve i ka konsideruar si irelevante dhe në këtë mënyrë ka kufizuar ndjekjen penale të te gjithë personave”, tha ai

Sipas tij së dyti prokuroria nuk ka përcaktuar palën e dëmtuar veprim ky qe numërohet si dështim i radhës i prokurorisë në trajtimin e rastit.

“Së treti Prokuroria ka dështuar të propozojë dëshmitarë fillimisht në aktakuzë si dhe gjate shqyrtimit të rastit.  Së katërti në fjalën hyrëse prokurorja nuk ka elaboruar provat me ane të të cilave e mbështete aktakuzën e saj”, tha ai duke shtuar se të gjithë këto veprime të prokurorisë dëshmojnë dështimin e saj në ndërtimin dhe përfaqësimin e interesit publik pranë gjykatës në njërin nder skandalet më të mëdha qe ka shpërfaqur dukurinë e krimit të organizuar e korrupsionit në vend.

Himaj ndër të tjera tha se trajtim jo të duhur procedural të këtij rasti i ka bërë edhe Gjykata Themelore në Prishtinë e cila ka caktuar shqyrtimin fillestar pas rreth 6 muajsh pas ngritjes së aktakuzës,  kurse seanca e shqyrtimit të dytë pas 4 muajsh nga mbajtja e shqyrtimit fillestar duke shkelur kështu dispozita të shumta ligjore.

“Së dyti gjykata ka ndaluar dëgjimin e përgjimeve të bisedave të të pandehurve te klanit Pronto. Ndërsa dispozitat ligjore në fuqi e obligojnë Gjykatën që gjatë shqyrtimit gjyqësor pasi te shqyrtohen dhe verifikohen provat materiale të jh jepet mundësia palëve qe të kundërshtojnë ato në mënyre të drejtpërdrejt gjatë shqyrtimit gjyqësor”, tha ai.

E pyetur se a duhet të ketë veting, Hoxha tha se është një reformë që duhet të bëhet

“Mendojmë qe është reformë qe duhet të bëhet dhe të përfshijë të gjitha institucionet të shtrihet edhe tek policia dhe institucionet tjera. Është e nevojshme të bëhet dhe të aplikohet menjëherë”, tha ajo.

Ditë më parë personat e akuzuar në rastin “Pronto” u liruan nga aktakuzat.

Të ngjashme