Gorani: Pakkush foli për pavarësi, Rambujeja ishte për të shpëtuar kryet

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 22:37 | Nga Ekonomia Online

Dukagjin Gorani, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, ka thënë se qëllimi i delegacionit kosovar në Konferencën e Rambujesë ka qenë shpëtimi i njerëzve nga vrasja dhe pavarësia e Kosvës ishte temë pak e rrahur.

Por, ai tha se e mira ishte që nuk e pranoi Serbia në krye me Sllobodan Millosheviqin derisa shtoi se bashkësia ndërkombëtare e ka hartuar në atë mënyrë marrëveshjen që asnjë version të mos i binte tamam Serbisë, njofton Klan Kosova.

“Me gjithë respektin pakkush ka folur për pavarësi në Rambuje, por me shumë kemi folur për të shpëtuar nga shkatërrimi. Kosovarët kanë pasë dëshirë që të mos vazhdojnë një luftë pa një fund të qartë dhe që populli të mos dëmtohet më shumë. Qëllimi për luftën e Kosovë ka qenë që të përfundohet sa më shpejt. Në atë kohë qëllimi ynë ka qenë që përmes një solidarizimi të faktorit ndërkombëtar të arrijmë të shpëtojmë. S’ka qenë ndjenjë e mirë të pranonim një marrëveshje që Kosovës t‘i ndahet një status special, por ka qenë ndjenjë e mrekullueshme kur Millosheviq ka thënë nuk e nënshkruaj”.

“Rambujeja, fjalë për fjalë, ka qenë me e shpëtu kryet. Vjen pas ofensivës së shtatorit , pas armëpushimit të tetorit dhe Masakrës së Reçakut. Ka qenë janari i 99-ës. Vetëm ata që e mbajnë mend e dinë çfarë tmerri është krijuar në opinion nga ato pamjet në Reçak”.

Gorani në Rubikon e ka quajtur Konferencën e Rambujesë një përpjekje të dështuar, për të cilën tha se pati shumë keqinterpretime dhe moskuptime të saj në Kosovë.

Ai ka shtuar se Marrëveshja e Rambujesë ka qenë në favor të shqiptarëve pikërisht për faktin që ka dështuar, njofton Klan Kosova.

“Për palën kosovare ka qenë e vetmja mënyrë për me e ndërprerë gjakderdhjen, por me një kompromis dhe ambient që do të krijohej pas asaj marrëveshje dhe që ka qenë tepër i pafavorshëm. Mirëpo, fakti që pala kosovare është detyruar të nënshkruajë diçka të tillë flet për kontekstin e momentit kur është bërë marrëveshja. Ajo ndoshta e ka nënkuptuar periudhën më të errët të vendit. Përpjekja dhe konferenca e Rambujesë nuk ka qenë në kuptimin klasik negociata me palën kundërshtare. Dy delegacionet s’janë takuar asnjëherë mes vete dhe këtë duhet qartësuar”.

“Negociata janë zhvilluar prej palëve, pra edhe pala serbe edhe shqiptare kanë negociuar me bashkësinë ndërkombëtare që ka qenë po ashtu palë. Kjo s’i duket s’është shpjeguar kurrë deri në fund. Secila prej palëve është dashur ta bindë bashkësinë ndërkombëtare në validitetin e kauzës së tyre dhe ata që e fitonin kishin dobi prej krejt aktiviteti në një mënyrë”.

Gorani ka thënë se veç organizimi i Konferencës së Rambujesë ka qenë mrekulli karshi gjendjes dhe situatës ku ndodhej populli shqiptar.

“Kthimi i vëmendjes dhe i fokusit ndërkombëtar me aso intensiteti karshi çështjes tonë për mua ka qenë një mrekulli dhe e pabesueshme. Nw konfliktet e tilla ka një lloj mungese të empatisë dhe pashpirtësisë është normë dhe standard dhe sidomos në atë kohë kur zhvillohej pas përfundimit të masakrave në Bosnje”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme