Grabitësit e rrezikshëm që talleshin me policinë sërish prapa grilave

Prishtinë | 25 Sht 2020 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Vetëm tetë ditë pasi u liruan, janë prangosur serish dy nga anëtarët e grupit të rrezikshëm të dyshuar për grabitje të armatosura, Leutrim Latifi dhe Kastriot Shala.

Këta u liruan të premten e kaluar në procedurë të rregullt me një vendim të Gjykatës Themelore, ani pse ishin konsideruar si persona shumë të rrezikshëm. Personi i tretë i këtij grupi, Ridvan Ademi është në pritje të ekstradimit nga Belgjika në Kosovë.

Në arsyetimin e Gjykatës të cilën e ka siguruar gazeta Objektiv jepen detaje për masën që i ishte caktuar të dyshuarave për grabitje.

“Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, të pandehurve Leutrim Latifi, Egzon Sheqiri, Kastriot Shala dhe Artan Sekiraqa, ju ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe ndaj tyre ka urdhëruar masën e paraqitjes në stacion policor, në kohëzgjatje prej 2 muajve, për shkak të dyshimit të bazuar mirë së të pandehurit i kanë kryer veprat penale sikurse në hyrje të këtij aktvendimi. Masën e paraqitjes në stacion policor të pandehurve ju ka caktuar konform dispozitave të nenit 178 par.4 të KPPK-së, e cila masë sipas këtij aktvendimi të pandehurve do t’ju zgjaste deri më dt.20.11.2020”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Themelore.

Por për këtë vendim të Themelores, ka bërë ankesë Prokuroria duke e dërguar rastin në Gjykatën e Apelit, pasi e ka kundërshtuar lirimin e dy grabitëseve të dyshuar për vjedhjen e institucioneve financiare në Kosovë.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë PP.I.nr.244/18, të dt.18.09.2020,  për shkak të vendimit mbi ndryshimin e masës së paraburgimit dhe caktimin e masës së paraqitjes në stacion policor, duke mos i cekur bazat ankimor por duke propozuar që Gjykata e Apelit e Kosovës, ta miratoj ankesën si të bazuar dhe ta anuloj aktvendimin e ankimuar ashtu që të pandehurve t’ju caktoj masën e paraburgimit”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi t’i rikthej prapa grilave grabitësit e njohur në Kosovë, që sa ishin në arrati talleshin me organet e rendit.

Sipas vendimit të Apelit, Themelorja nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur ka vendosur t’i lirojë personat e lartcekur.

“Gjykata e shkallës së parë në aktvendimin e saj nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe nuk ka vepruar drejt kur të pandehurve Leutrim Latifi, Egzon Sheqiri, Kastriot Shala dhe Artan Sekiraqa, nuk ju ka vazhduar masën e paraburgimit dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e paraqitjes ën stacion policor, duke mos arsyetuar në këtë rast arsyet që kanë sjell deri te marrja e një vendimi të tillë. Sipas kolegjit të kësaj gjykate pretendimi lidhur më pandeminë e krijuar Covid 19, nuk përbenë ndonjë rrethanë që do të shkonte në favor të pandehurve ngase edhe në këto kushte ekziston rreziku real se nëse të pandehurit do të gjenden në liri do të ikin apo arratisen apo do të ndikojnë në rrjedhën e procedurës penale si dhe në përsëritjen e saj”,thuhet në aktvendimin e Apelit.

Po ashtu sipas vendimit të Apelit, të pandehurve mund t’ju shqiptohet dënim mjaft  i lartë nëse të njëjti shpallen fajtor, por të lirë mund të jenë të pakapshëm për organet e ndjekjes dhe të ndikojnë në zvarritjen e procedurës penale.

Kastriot Shala, Leutrim Latifi bashkë edhe me Ridvan Ademin kërkoheshin nga policia që nga tetori i vitit 2018 për disa raste të grabitjeve. Ata madje ishin shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, si persona shumë të rrezikshëm.

Edhe pse ishin në arrati, Shala bashkë me Latifin përmes Facebook-ut talleshin me kërkesën e policisë për arrestimin e tyre. Ata madje kishin publikuar edhe video-live nga Spanja, duke treguar për vendndodhjen e tyre.

Leutrim Latifi, ishte i pari nga këta të tre persona që u arrestua. Ai ishte prangosur në shkurt të vitit të kaluar në Mal të Zi. U ekstradua në Kosovë tek më 24 maj dhe lajmin për dorëzimin e tij nga autoritetet malazeze tek ato kosovare e kishte dhënë ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Në një aksion të madh të Njësisë Speciale të Kosovës, me 9 maj të vitit të kaluar, kishte arrestuar Kastriot Shalën.

Të ngjashme