Grabitje e armatosur te Liqeni i Badovcit, dy të plagosur – Policia jep detaje

Prishtinë | 08 Mar 2021 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Një grabitje e armatosur ka ndodhur te Liqeni i Badovcit, ku dy punëtorë të një kompanie të sigurimit kanë mbetur të plagosur.

Rastin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 16:45 policia ka marrë informatën për një tentim grabitje të armatosur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan”, tha Ahmeti.

“Menjëherë pas informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore. Bazuar ne  informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar në rrethana që aktualisht po trajtohen nga policia, kane shtënë me armë zjarri ne drejtim të  automjetit që po kryente transportin e parave”, tha tutje ajo.

Për pasojë dy persona pjesë e kompanisë qe po kryente transportin janë plagosur dhe te njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Sipas informacioneve të policisë të dyshuarit nuk kanë arritur të kryejnë grabitjen por si e tillë ka mbetur në tentative, dhe të njëjtit kane ikur nga vendi i ngjarjes. Policia  ka filluar një hetim lidhur me rrethanat qe karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e tyre dhe identifikimin e të implikuarve.

Ndërsa, sipas kompanisë Besa Security, punëtorët kanë arritur të shpëtojnë falë pajisjeve mbrojtëse.

“Dy punonjës të TPG-së, janë të plagosur. Të njëjtit, falë veturës të armatosur kundër kallashnikov, jelekëve anti plumb të veshur nga punonjësit tonë dhe më pas falë një veture të FSK-së që ka kaluar pas pak minutash dhe të cilët ia kanë dhënë ndihmën e parë të dy punonjësve, sipas informatave janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Gjithashtu, dy pjesëtarët e tjerë të ekipes janë shëndosh e mirë. Ndërsa, plaçkitësit nuk kanë arritur t’i marrin paratë”, njofton kompania e sigurimit.

Të ngjashme