Gratë e kthyera nga Siria ndihen të izoluara, kundërshtojnë masën e arrestit shtëpiak

Prishtinë | 20 Gus 2019 | 08:33 | Nga Ekonomia Online

Me dëshpërim e ka pritur vendimin e gjykatës për vazhdimin e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj. Njëzeteshtatëvjeçarja A.A. (emër i njohur për redaksinë), që prej muajit prill, kur edhe është riatdhesuar nga Siria në Kosovë, po e vuan këtë masë në shtëpinë e prindërve të saj.

Në Kosovë është kthyer së bashku edhe me pesë fëmijët. Kthimin, pas afro katër vjetësh, siç thotë për “Kohën Ditore”, e ka pritur me padurim. Në zonën e konfliktit thotë se ishte shpërngulur pa dëshirën e saj, por me insistimin dhe presionin e burrit të parë, i cili pas një kohe e kishte gjetur vdekjen gjatë luftimeve në Siri.

Në kohën sa ka qëndruar atje është martuar me një shqiptar tjetër nga Kosova, i cili aktualisht është në paraburgim në Kosovë.

“Lërmëni spaku tani të jetoj e qetë. Pse duhet tmë hetojnë? Me qejf nuk kam shkuar atje. Kam qenë kundër nga fillimi”, thotë A.A.

Prej momentit të kthimit thotë se shteti i ka ofruar ndihma për t`u kujdesur për veten dhe fëmijët. Mirëpo, brenga e saj është izolimi, riintegrimi dhe stigmatizimi nga shoqëria.

“Nuk e di përse po na mbajnë në arrest shtëpiak. Nuk i bëjmë keq askujt. Familja ime biologjike nuk ka të bëjë me radikalizëm asgjë. Për vete jam e shqetësuar edhe me faktin se si na paragjykojnë njerëzit këtu. Nuk është e lehtë kjo situatë. Unë dua të ndërtojë një të ardhme tjetër, por më duhet ndihma nga shteti”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme