Gratë nuk favorizohen në aspektin e trashëgimisë

Prishtinë | 06 Mar 2017 | 15:51 | Nga

Legjislacioni i Kosovës edhe pse nuk është diskriminues në fushën e trashëgimisë dhe të drejtave pronësore realiteti tregon se gratë në Kosovë janë në situatë të pafavorshme sa i përket aspektit të  trashëgimisë dhe qasjes së tyre në prona.

Kështu ka deklaruar shefja e agjencisë për barazi gjinore, Edi Gucia, gjatë shpalosjes së raportit për barazi gjinore të vitit 2016, në Komisionin për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Ajo tha se propozimi i agjencisë së vitit 2016 për regjistrim të pronës në emër të dy bashkëshortëve ka rezultuar i suksesshëm dhe vetëm gjatë vitit 2016 janë 620 raste kur qiftet e reja kanë regjistruar pronën në emër të dy bashkëshortëve.

“Masa afirmative për regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve do të thotë se të gjithë ata që regjistrojnë pronën në emër të dy bashkëshortëve lirohen nga pagesa dhe për këtë Agjencia për Barazi Gjinore kërkon që kjo masë të zgjatet edhe për një vit”, tha ajo.

Deputetja e Kuvendit nga radhët e Nismas, Shukrie Bytyqi, tha se Udhëzimi i propozuar ka treguar që një iniciativë e tillë ka dalë të jetë pozitive.

“Nuk është pak që të regjistrohen 620 prona të përbashkëta në mes të qifteve”, ka theksuar ajo.

Bytyqi tha se sfidë e madhe mbetet mbrojtja dhe strehimi i grave të prekura nga dhuna, pasi ato nuk mund të strehohen më shumë se gjashtë muaj në qendrat ekzistuese.

Ajo kërkoi nga shefja e Agjencisë për Barazi Gjinore që të bëjë kërkesë që afati për strehim të grave të zgjatet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme