Gryka e Junikut – një thesar turizmi në pritje të zbulimit

Prishtinë | 14 Kor 2019 | 11:16 | Nga Ekonomia Online

Sikur edhe më herët, edhe në ditët e sotme në majën “Rrasa e Zogut” bora zë borën çdo dimër. Një pjesë e kësaj maje në Bjeshkët e Junikut nuk njeh ngjyrë tjetër përveç të bardhës. Këtë bardhësi banorët e fshatrave Gjocaj dhe Jasiq nuk e kanë lënë të shkojë dëm një kohë të gjatë dhe e kanë shfrytëzuar borën e akullt për të bërë tregti, derisa nuk kanë dalë në treg frigoriferët.

Gjatë sezonit të verës ata kanë ngarkuar kuajt me thasë të mbushur me borën e akullt dhe e kanë shitur në Gjakovë. Deri në 100 kilogramë borë ka zënë një thes, por deri në tri orë rrugëtim me kuajt nga ajo maje deri në Gjakovë është shkrirë gjysma e borës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këtë tregti të zhvilluar dekada më parë e kujton edhe 58-vjeçari Zenel Maloku nga fshati Gjocaj, i cili atë kohë ka qenë fëmijë.

“Përpara jeta ka qenë shumë e zorshme në këto dy fshatra. Në kohën kur ende nuk ka pasë frigoriferë, banorët e Gjocajve dhe Jasiqit kanë bajt borë me kuajt gjatë verës prej bjeshkëve dhe kanë shitë në Gjakovë. Kanë qenë të ardhura shtesë për buxhetin e varfër të familjeve atë kohë. Unë e kam përjetuar atë kohë të shitjes së borës. Kam qenë fëmijë i vogël dhe prindërit e mi kanë bërë këtë tregti të mundimshme me borë, e cila është shuar kur kanë dalë frigoriferët”, e kujton Maloku këtë punë të mundimshme që e kanë bërë prindërit e tij dhe bashkëfshatarët e tjerë për mbijetesë.

Me përfundimin e kësaj tregtie, shumë vite Bjeshkët e Junikut kanë qenë të heshtura, përveç sezonit të verës, kur blegtorët kanë dalë prej rrafshit me bagëtinë e tyre në bjeshkë, prej pranvere deri në vjeshtë. Për ato bjeshkë, turizmi atë kohë ka qenë i panjohur. Për turizëm kanë nisur të mendojnë pasi që Juniku bëhet Komunë në vitin 2008, dhe këtë synim të zhvillimit të turizmit e jetësojnë më 2011 me Planin Zhvillimor Komunal, si njëra prej dy shtyllave kryesore të zhvillimit të kësaj komune. Shtylla tjetër-bujqësia.

Si thesar të zhvillimit të turizmit, Komuna i sheh Grykën e Junikut dhe bjeshkët e saj, të cilat presin të zbulohen nga të tjerët, ndonëse infrastruktura rrugore ende është primitive. Deri sivjet në Grykën e Junikut nuk është bërë asnjë investim në infrastrukturën rrugore, që shpie në dy fshatrat Gjocaj dhe Jasiq, rreth 6 kilometra larg qytetit të Junikut dhe në shtatë fshatrat e tjera në Bjeshkët e larta të Junikut, fshatrat Gropa e Erenikut, Smajlibraj, Goxhaj, Gjotaj, Qërshiza, Pllaqica e Junikut dhe Bjeshka e Tropojës, mbi 17 kilometra larg Junikut.

Të ngjashme